Korçë, 21 Dhjetor 2023 – CRCA/ECPAT Shqipëri prezantoi sot në mesditë konceptin dhe modelin e shërbimeve që do të ofrohen në Qendrën e Shërbimeve Rinore me një ndalesë në Qarkun Korçë. Qendra do të jetë në dispozicion të të rinjve dhe të rejave që banojnë në këtë qark dhe Bashkitë Pogradec, Maliq, Korçë dhe Devoll. Qendra është nisma më e fundit e CRCA / ECPAT Shqipëri dhe mbështetet financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Rinisë AKR dhe Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Nën mikpritjen e Bashkisë Korçë në Bibliotekën Publike “Thimi Mitko”, mbi 40 pjesëmarrës nga institucionet vendore, të rinj e të reja nga Këshillat Rinorë dhe organizatat e shoqërisë civile, diskutuan për projektet që Qarku dhe Bashkitë janë duke zhvilluar për të rinjtë, rolin e këshillave dhe koordinatorëve rinore, si dhe çfarë mund të bëjmë së bashku për të mbështetur të rinjtë e të rejat në qytet dhe në fshat.

Takimi u përshëndet nga Kryetari i Qarkut Korçë, z. Erjon Nexhipi, nën-Kryetarja e Bashkisë Pogradec, znj. Entela Gusho, nën-kryetari i Bashkisë Maliq, z. Eri Rustemi, si dhe përfaqësues të Bashkive Korçë, Devoll si dhe Ersekë.

“CRCA Shqipëri ka mbi 20 vjet që punon në Qarkun Korçë. Qendra e Shërbimeve Rinore është shërbimi i parë i këtij lloji që hapet në Shqipëri, bazuar në konceptin e një zyre me një ndalesë të vetme për të mbështetur të rinjtë me më pak mundësi për të avancuar në arsimimin, punësimin dhe jetën e tyre. – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.

Qendra e Shërbimeve Rinore vendos në qendër të shërbimeve të saj të rinjtë dhe të rejat duke u fokusuar tek fuqizimi i kapaciteteve të tyre, arsimimin joformal, informim dhe garantim në shërbimet me bazë komunitare si dhe orientimin e tyre drejt tregut të punës për të hedhur hapa drejt një të ardhme më të qëndrueshme në zonën ku ata jetojnë. Qendra do të referojë të rinjtë në shërbimet shoqërore, ato të shëndetit mendor, të karrierës apo të kualifikimit të mëtejshëm, të internshipeve në organizata etj., pra duke u kthyer në një qendër ku çdo i ri gjen aty shërbimet që i nevojiten. Kjo do të shoqërohet nga një platformë online ku të rinjtë mund të gjejnë informacion dhe kërkojnë ndihmë për çdo shërbim që ofrohet nga Qendra. Së fundi, nisma do të mbështesë të katërt Bashkitë që të përgatisin dhe miratojnë Planet e tyre të Veprimit për të rinjtë.

Për më shumë kontakto:

CRCA/ECPAT Shqipëri

crca@crca.al


Detajet e Lajmit
December 27, 2023
546
Kategoria