Gratë Dhe Vajzat Vendosin Prioritete Për Pushtetin Dhe Drejtuesit Vendorë!

Gratë Dhe Vajzat Vendosin Prioritete Për Pushtetin Dhe Drejtuesit Vendorë!

Prezantohen prioritetet e rezultateve të “Vlerësimit të komunitetit për Qeverisjen”, të nevojave prioritare të grave dhe vajzave në minibashkitë 2, 10, 11 Tiranë

Tiranë, 11 Dhjetor 2012 – Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, që punon për arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri, përmes kësaj deklarate kërkon të bëjë prezent Prioritetet e ’Vlerësimit të Komunitetit për Qeverisjen’ të nevojave prioritare të grave dhe vajzave në Minibashkitë 2, 10, 11 Tiranë, një proces i realizuar me mbështetjen e UNWomen në Shqipëri.

Këto prioritete vijnë si rezultat i një procesi të gjerë konsultues me gra e vajza, përfaqësues dhe punonjës të pushtetit vendor në këto minibashki, gjatë periudhës Tetor-Nëntor 2012. Ato vlerësuan problemet dhe nevojat e tyre prioritare, bazuar në një listë nevojash të nxjerra më parë nga procesi i ‘Vlerësimit të komunitetit për qeverisjen’ zbatuar gjatë periudhës shtator 2010 - shkurt 2011, jo vetëm në këto zona por në 7 rajone të vendit.

‘Vlerësimi i komunitetit për qeverisjen’ ka për qëllim identifikimin dhe prioritizimin e nevojave të komunitetit gra dhe vajza përmes vlerësimit dhe monitorimit të politikave e shërbimeve të qeverisjes vendore në lidhje me Pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e barabartë politik dhe vendimmarrës të grave; Politikat kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave; Politikat për përmirësimin e gjendjes ekonomike; Politikat për shërbimet sociale, kushtet shëndetësore dhe arsimimin.

Bazuar në pikat e mësipërme, gratë dhe vajzat e Minibashkive 2, 10, 11 në Tiranë, listojnë si nevoja prioritare të tyre, të cilat duhet të mbahen në konsideratë dhe të gjejnë zgjidhje nga pushteti vendor, si më poshtë:

  • Ngritjen dhe funksionimin e pikave fokale në çdo minibashki që të mbulojë çështjet e grave që nga nevojat ekonomike deri tek probleme të dhunës në familje
  • Ngritjen e qendrave multifunksionale në minibashki me shërbime ditore për gratë, fëmijët dhe të moshuarit, ku të ofrohen vakte falas dhe të jepen shërbime sociale dhe psikologjike për personat në nevojë
  • Punësimin e grave mbi 40 vjeç me ndërmjetësimin e minibashkive pranë bizneseve lokale që ofrojnë shërbime në komunitet
  • Strehimin e grave të pastreha me probleme ekonomike e sociale, përmes vendosjes së tyre në listën prioritare të strehimit social
  • Ndihma ekonomike dhe paketa e përfitimit të paaftësisë të marrë në konsideratë edhe shpenzimet mujore të familjes për energji elektrike
  • Infrastrukturë rrugore dhe ndriçim të rrugëve dytësore, si një mjet për të rritur sigurinë ndaj grave dhe vajzave.

Duke besuar se nevojat prioritare të grave dhe vajzave në këto minibashki përfaqësojnë nevojat e pjesës më të madhe të grave të qytetit të Tiranës, Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë konsideron si shumë të rëndësishme bërjen publike dhe adresimin e tyre në politikat lokale të qeverisjes vendore për përfshirjen e çështjeve gjinore si një zë më vete në buxhetin e Bashkisë së Tiranës, për tu dhënë zgjidhje atyre.

Për informacione të mëtejshme, lutem kontaktoni:

Altin Hazizaj
CRCA/DCI Shqipëri

Elona Gjebrea
ACPD 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL