Politikanët Bisedojnë Me Fëmijët Në Kuadër Të Javës Globale Të Arsimit

Politikanët Bisedojnë Me Fëmijët Në Kuadër Të Javës Globale Të Arsimit

Tiranë, 24 Prill 2013, -Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri-ACE, organizoi sot në mëngjes Forumin e Hapur me politikanë dhe nxënës, pranë shkollës 9-vjeçare “Gjergj Fishta” në Tiranë. ACE nëpërmjet këtij aktiviteti i bashkangjitet mijëra njerëzve në të gjithë botën që janë duke avokuar për të drejtën e çdo fëmije për të pasur një mësues të kualifikuar.

Në takim morrën pjesë dy deputete të Kuvendit Shqiptar, znj. Mesaila Doda dhe znj. Eglantina Gjermeni, artistja e njohur Hyeda Al Sayed, Drejtori i CRCA, Altin Hazizaj dhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Tiranë, nxënës, stafi drejtues i shkollës , bordi i prindërve si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ky aktivitet, i cili u lehëtsua nga organizata SHKEJ, i afroi më pranë politikanët dhe fëmijët në shkëmbimin informal përsa i përket çështjeve të arsimit si dhe shqyrtimit të mundësive për të garantuar të drejtat e fëmijëve në këtë fushë. Forumi i hapur midis parlamentarëve dhe fëmijëve përbën një shembull të të gjendurit më pranë fëmijëve në interes në mbështetje të mundësive të tyre për tu zhvilluar në fushën e arsimit.

Deputetet, pjestare të Kaukusit Parlamentar për të Drejtat e Fëmijëve, ndanë prespektivën dhe opinionet e tyre mbi arsimin, duke iu përgjigjur pyetjeve të fëmijëve. Pyetjet u fokusuan tek ndarja e eksperiencave personale për mësuesit dhe mësimdhënien, vlerësimi i situatës aktuale të mësuesit, nevoja për ndryshim dhe përmirësim të kapacitetve fizike dhe humane të shkollës. Aktiviteti u ndoq me interes nga fëmijë, prindër të komunitetit dhe anëtarë të organizatave që punojnë në fushën e fëmijëve dhe anëtare të Koalicionit.

Gjatë Javës së Veprimit Global 2013, organizatat që punojnë për arsimimin dhe të drejtat e fëmijëve, sindikatat e mësuesve etj, i drejtohen qeverive dhe politikanëve me slloganin “Çdo Fëmijë ka Nevojë për një Mësues të Kualifikuar”. Qëllimi i Fushatës Globale në Shqipëri është ndërgjegjësimi i Qeverisë Shqiptare, politikanëve dhe publikut të gjerë për problemet e arsimimit të fëmijëve në Shqipëri, veçanërisht kualifikimit të mësuesve, përmirësimit të statusit të mësuesit, rritjes së standarteve të mësimdhënies, krijimit të infrastrukturës së përshtatshme të mësimdhënies etj.

Gjatë kësaj jave Koalicioni Shqiptar për Arsim ka organizuar një sërë aktivitetesh advokuese me qëllim sensibilizimin e publikut dhe në mënyrë të veçantë parlamentarëve, për të qenë më pranë nevojave dhe prioriteteve të mësueve.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Znj. Erinda Ibrahimllari, Koordinatore e Koalicionit,
E-mail: erinda.ibrahimllari@crca.al , tel: + 355 4 2242264

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL