Në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave, Presidenti i Republikës së Shqipërisë dekoroi CRCA/ECPAT Shqipëri për punën e saj të palodhur në mbrojtjen e të drejtave të vajzave e grave, fëmijëve dhe të të rinjve, me dekoratën "Për Merita të Veçanta Civile”

Tiranë, 8 Mars 2022 – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave, vlerësoi me dekoratë CRCA/ECPAT Shqipëri “Për Merita të Veçanta Civile”. Kjo ditë përkon edhe me 25 vjetorin e krijimit të organizatës, në mars të vitit 1997.  CRCA/ECPAT Shqipëri është organizata më e vjetër në vend në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve. Që prej krijimit të saj, më shumë se 20 mijë fëmijë dhe të rinj kanë marrë mbrojtje e kujdes nga shërbimet dhe stafi i organizatës anembanë Shqipërisë.
Motivacioni për të cilin u dekorua CRCA/ECPAT Shqipëri, lexon: “Për kontributin e saj 25 vjeçar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, luftën e pandalur në përmirësimin e standarteve dhe shërbimeve kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga çdo formë e dhunës dhe avancimin e kauzës së barazisë gjinore dhe rritjen e pjesëmarrjes e fëmijëve, të të rinjve, vajzave dhe grave në vendimmarrje.”
Presidenti Meta, duke e vënë theksin e tij në angazhimin e shoqërisë civile për promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave, fëmijëve dhe të rinjve, shtoi: “Falenderoj CRCA/ECPAT Shqipëri për rolin e rëndësishëm në demokratizimin e shoqërisë dhe mbështetjen që i jep fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë, që të bëhen zotërues të përpjekjes për më shumë demokraci dhe më shumë respekt për të drejtat e tyre dhe të drejtat e njeriu në vendin tonë. Lufta dhe përpjekjet e shoqërisë civile, ndonjëherë në oponencë të hapur me institucionet shtetërore, duhen parë jo si një rrezik, por si një vlerë e shtuar e demokracisë sonë, ende të re dhe të brishtë.”

Pas marrjes së dekoratës “Për Merita të Veçanta Civile”, Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, falenderoi Presidentin e Republikës për këtë vlerësim, duke nënvizuar: “Ky vlerësim, nuk i shkon vetëm CRCA/ECPAT Shqipëri, por të gjithë shoqërisë civile në vendin tonë, e cila përballet çdo ditë me sfida të mëdha në misionin e saj të mbrojtjes dhe garantimit të drejtave të fëmijëve dhe të njeriut. Të punosh e kërkosh çdo ditë që të ndryshosh mendësinë se edhe fëmijët kanë të drejta të barabarta , nuk është një punë, por një luftë që duhet t’i bashkohemi të gjithë dhe që duhet ta fitojmë!”

 
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri
Cel: +355675002020
E-mail: crca@crca.al
 
Kontakti me Mediat:
Albana Mustafaraj
E-mail: albana.mustafaraj@crca.al
 
 
DISA NGA ARRITJET DHE REZULTATET KRYESORE TË PUNËS SË CRCA/ECPAT SHQIPËRI NË VITE
Në punën e saj 25 vjeçare, CRCA/ECPAT Shqipëri, ka shënuar një sërë arritjesh, ku si më kryesoret mund të rendisim:
 
NË FUSHËN E MBROJTES DHE AVANCIMIT TË TË DREJTAVE TË FËMIJËVE DHE TË RINJVE
CRCA/ECPAT Shqipëri ka qenë bashkëhartuese e 3 ligjeve me impakt në jetën e fëmijëve dhe të rinjve si:

Ligj Nr.9669, datë 18.12.2006“Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare@
Ligj Nr. 10221, DATË 4.2.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”
Projekt-Ligji “Mbi Regjistrin kombëtar të të dënuarve të krimeve seksuale në Shqipëri”.

Ndërkohë që kemi dhënë kontribut në hartimin e të gjitha politikave qeveritare ndër vite, si: Strategjia Kombëtare për Fëmijët, Strategjia Kombëtare Kundër Trafikimit të Fëmijëve, Strategjia Kombëtare për Rininë etj.
 
NË FUSHËN E NGRITJES DHE OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE DHE TË RINJVE NGA ÇDO FORMË E DHUNËS

Në vitin 1999 hap Klinikën e 1-rë Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë. Deri më sot Klinika ka mbështetur me shërbime juridike falas mbi 800 fëmijë dhe të rinj nga shtresat më në nevojë;
Në vitin 2001 detyron Ministrinë e Drejtësisë që përfundimisht të ndalojë mbajtjen e të miturve që vuanin dënimin në burgje në mjedise të përbashkëta me të rritur;
Në vitin 2004 hap Programin Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Trafikimi dhe Shfrytëzimi, me fokus kryesor fuqizimin e kapaciteteve të organeve ligj-zbatuese dhe shërbimeve sociale në Shqipëri.
Në vitin 2009 hap Linjën Kombëtare të Telefonit për Fëmijët (ALO 116-111) i vetmi shërbim kombëtar që ofron këshillim e mbrojtje për fëmijët 24 orë në ditë / në 7 ditë të javës.
Në vitin 2015 hap Platformën Kombëtare ISIGURT.al e cila mbron fëmijët dhe të rinjtë nga të gjitha rreziqet me të cilat përballen gjatë lundrimit në internet;
Në vitin 2018 hap Barnahus-Shqipëri (Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Abuzimi Seksual), e cila zbaton standartet më të larta ndërkombëtare në trajtimin dhe mbështetjen e çdo viktime të ngacmimit, abuzimit dhe shfrytëzimit seksual.
 

NË FUSHËN E RRITJES SË PJESËMARRJES SË TË RINJVE DHE GRAVE NË VENDIMMARRJE

Në vitin 2005 fillon një nga fushatat më të suksesshme në Shqipëri për vendosjen e kuotës gjinore! Sot kuota gjinore 50% në zgjedhjet lokale dhe 30% në zgjedhjet kombëtare është kthyer në një ndër mekanizmat më të suksesshëm të përfaqësimit të grave në vendimarrje;
Në vitin 2013 ne mbështetëm Kuvendin e Shqipërisë për të krijuar Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”.
Në vitin 2018 ndërmerr nismën për ri-ngritjen e Parlamentit Rinor në Tiranë, Kavajë, Peshkopi, duke sjellë së bashku zërin e mbi 40 mijë të rinjve nga e gjithë Shqipëria.
Në vitin 2019 organizon në bashkëpunim me Kuvendin dhe Parlamentin Rinor, Modelin e Kuvendit të Shqipërisë, me pjesmarrjen e mbi 200 të rinjve e të rejave nga e gjithë Shqipëria;
Fuqizimi i grave dhe vajzave për të marrë pjesë në proceset politike të Shqipërisë- deri më tani programi ka mbështetur më shumë se 2000 gra dhe vajza me trajnime dhe stërvitje në proceset politike, si funksionon parlamenti, partitë politike, qeverisja e mirë, organizimi zgjedhor etj, përfshi edhe organizimin e 2 Samiteve të Vajzave;
Krijimi i Aleancës së Grave Këshilltare në Bashkinë e Tiranës, si grupi i parë bi-partizan i grave të zgjedhura si këshilltare në Këshillin Bashkiak Tiranë, me qëllim kryesor përkrahjen dhe avancimit të të drejtave të grave dhe vajzave në Bashkinë e Tiranës;

 
CRCA/ECPAT Shqipëri është e vetmja organizatë shqiptare që i është dhënë statusi special konsultativ me ECOSOC të Kombeve të Bashkuara, që nga 2011.