Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) është e shokuar nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur sot në Shkollën “Beqir Çela” në Durrës, ku një adoleshent u vra nga një adoleshent tjetër brenda në klasë. Ngjarja është tregues se dhuna ndërmjet vetë fëmijëve, dhe në përgjithësi, dhuna kundër fëmijëve, ka arritur në nivele të papranueshme, sa ajo tashmë po manifestohet në format e saj më ekstreme, për shkak të mungesës thuajse tërësore të mekanizmave për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në shoqëri, shkollë dhe familje!
Përgjegjësinë për këtë ngjarje ekstreme duhet ta mbajnë të gjithë ata që kanë patur mundësi që ta ndryshojnë gjendjen e rënduar në arsimin publik në Shqipëri dhe kanë refuzuar të marrin masa për ta bërë jetën dhe mirëqenien e fëmijëve më të sigurtë në mjediset e shkollës dhe në shoqëri. Ky është një rast i përsëritur, kur politikanët që kanë përgjegjësi direkte për përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së fëmijëve, nuk kanë ndërmarrë asnjë verprim në këtë drejtim. Sot është dita që ata të japin llogari!
Në vitin 2012 CRCA Shqipëri i kërkoi Ministrisë së Arsimit publikisht që në Ligjin për Sistemin Arsimor Parauniversitar të krijonte një kapitull të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe marrjen e masave disiplinore për personat që ushtojnë dhunë në shkollë. Në të njëjtën kohë ne kemi denoncuar që prej vitit 2009 publikisht rastet e përsëritura të dhunës ndërmjet vetë fëmijëve dhe të mësuesve ndaj fëmijëve në shkollë, duke kërkuar adresimin sa më të shpejtë të problemit. Jo më larg se dy javë më parë në një seancë të posaçme dëgjimore të dy komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, CRCA Shqipëri ndau përsëri publikisht shqetësimin e saj se dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri ka arritur në nivele, të cilat nëse nuk do të adresohen, kanë tëndecën të prodhojnë pasoja fatale mbi jetën e fëmijëve. Ngjarja e sotme e vërtetoi tragjikisht këtë të vërtetë të hidhur për këdo!
SOT, një fëmijë nuk do të kthehet në shtëpinë e tij. Nuk do të ketë më mundësi që të takojë familjen, prindërit, miqtë dhe mikeshat. Nuk do të ketë më mundësi që të ulet të studiojë dhe të ëndërrojë për të ardhmen e tij. Një tjetër fëmijë është në kërkim policor për shkak të një krimi të rëndë që supozohet se ka kryer. Me mijëra fëmijë të tjerë anembanë Shqipërisë jetojnë nën makthin e dhunës, bulizmit, ndëshkimit dhe abuzimit, dhe rruga ekstreme duket ndonjëhere si e vetmja dalje nga jeta e dhunshme që përjetojnë cdo ditë! Është e papranueshme dhe e patolerueshme që politikanët të bëjnë sikur kujdesen për fëmijët!
Kjo ngjarje kaq e rëndë, kërkon përgjigje të menjëhershme, të cilat adresojnë jo pasojën, por thelbin e problemit. Në këtë drejtim CRCA rekomandon sa më poshtë:

Miratimin me procedura të përshpejtuara në Kuvendin e Shqipërisë të Projekt-ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna;
Përgatitjen me procedura të përshpejtuara të Strategjisë Kombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Fëmijëve nga ana e Ministrisë së Mirëqenies Sociale;
Miratimin e menjëhershëm nga ana e Ministrit të Arsimit të Rregullave Standarte të Politikës ZERO ndaj Dhunës në shkollë dhe të procedurave për raportimin dhe eleminimin e saj në çdo mjedis shkollor;
Miratimin e Rregullave Standart Minimum të Sigurisë dhe Mirëqenies së Nxënësve dhe Mësuesve në Shkollë, ku të përcaktohen rregullat dhe procedurat bazë që çdo fëmijë, mësues dhe person i tretë duhet të respektojë në mjediset shkollore për garantimin e sigurisë personale.
Ngritjen e Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Dhunës ndaj Fëmijëve pranë Kryeministrisë si një mundësi për të zbatuar të gjithë masat kombëtare dhe lokale për eleminimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve;
Rritjen urgjente të Buxhetit të Ministrisë së Arsimit për forcimin e shërbimit psikologjik në shkolla dhe të shërbimeve ndihmëse të shoqërisë civile për fëmijët, si një mjet për rritjen e kujdesit emocional dhe garantimin e integritetit fizik të fëmijëve dhe mësuesve në shkolla.

CRCA Shqipëri shpreh bindjen se marrja e këtyre masave urgjente dhe zbatimi i tyre në mënyrë efikase do të shërbente si një ogur i mirë për të eleminuar dhunën dhe pasojat e saj ndaj fëmijëve në Shqipëri. Është koha për veprime të shpejta, të vendosura dhe të konsultuara për fëmijët!


Detajet e Lajmit
December 4, 2013
218
Kategoria
Shkarko Dokumentin