
Korçë, 19 Dhjetor 2024 – Katër bashkitë kryesore të Qarkut Korçë udhëheqin përpjekjet e pushtetit vendor në Shqipëri për të mbështetur dhe fuqizuar të rinjtë, duke finalizuar Planet e Veprimit për Rininë për tre vitet në vijim (2025-2028). Me mbështetjen e CRCA/ECPAT Shqipëri, Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrit të Shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët, Bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec dhe Devoll kanë finalizuar punën e tyre disa mujore për përgatitjen e Planeve Vendore të Veprimit për Rininë. Qëllimi i Planeve është organizimi i punës institucionale për të rritur mundësitë për të rinjtë për përfshirjen e tyre në jetën sociale, kulturore dhe politike në çdo Bashki.
Mbi 400 të rinj nga zonat urbane dhe rurale të katër bashkive të Qarkut Korçë morën pjesë në procesin e hartimit të planeve vendore, duke kontribuar me ide dhe sugjerime për përmirësimin e jetës së rinisë. Gjatë 6 Workshopeve dhe takimeve konsultuese, ata ndihmuan në identifikimin e prioriteteve dhe objektivave kryesore që do të mbështesin zhvillimin dhe fuqizimin e rinisë.
Disa nga prioritetet të identifikuara për secilën bashki janë: punësimi dhe sipërmarrja rinore, pjesëmarrja e të rinjve në politikë dhe vendimmarrje, arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës, si dhe mbështetje për organizatat rinore dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive.
Katër Bashkitë dhe Këshillat Bashkiake do të luajnë rol kyç në udhëheqjen e monitorimit, koordinimit dhe menaxhimit të Planeve Lokale të Veprimit për të Rinjtë, duke siguruar implementimin e tyre sipas planifikimit. Ato do të mbikëqyrin përmbushjen e objektivave të caktuara dhe do të garantojnë informimin e rregullt të të rinjve dhe organizatave rinore mbi rezultatet dhe përdorimin e buxhetit.
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al