Tiranë, Janar 2010 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA/DCI Shqipëri, përfundon punën për përgatitjen e vëzhgimit “Zgjedhjet Elektorale të Qershorit 2009 dhe produkti në përfaqësimin e grave në Kuvendin e Shqipërisë”.

Ky Vëzhgim u përgatit që t’ju vijë në ndihmë Forumeve të partive politike, organizatave që punojnë me/për gratë, shoqërisë civile në tërësi si edhe vetë grave.
Ky vëzhgim synon të vlerësojë se sa dhe si ishte e mundur të arrihej objektivi i kuotës së përfaqësimit të grave në Kuvendin e Shqipërisë prej 30 përqindësh dhe mbi të gjitha cilët ishin faktorët që kushtëzuan përmbushjen ose jo të këtij objektivi.
Vëzhgimi është ndërtuar në dy pjesë. Në pjesën e parë shfrytëzohen të dhëna të publikuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe analizohet se sa dhe si partitë politike kryesore respektuan detyrimet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor për kuotën gjinore. Pjesa e dytë përqëndrohet në analizën e barrierave që ndeshën gratë gjatë zgjedhjeve të 2009 e që për rrjedhojë prodhuan një përfaqësim të gruas në Kuvendin e Shqipërisë larg kuotës së synuar. Konkluzionet dhe rekomandimet në fund të kësaj analize janë konsideruar të rëndësishme me synimin se do të kontribuojnë në përmirësime të mundshme në zgjedhjet e ardhshme.
Përveç ekspertes, znj. Etleva Bisha, e cila punoi për përgatitjen e këtij vëzhgimi, përfaqësuese të Forumeve Politike të Grave apo gra që kandiduan në zgjedhjet e fundit elektorale të qershorit 2009 kontribuan në hartimin e tij gjithashtu, përmes opinioneve, informacioneve dhe njohurive që ndanë me hartuesen e tij.
Ky vëzhgim u përgatit në kuadër të programit “Promovimi i Demokracisë dhe Qeverisjes së Mirë përmes Partive Politike në Shqipëri”, zbatuar nga CRCA dhe mbështetur nga Olof Palme International Center.
Vëzhgimi momentalisht është vetëm në gjuhën shqipe, si elektronikisht ashtu edhe i printuar. Nëse do të dëshironi të merrni një kopje të vëzhgimit mund të kontaktoni me CRCA. 


Detajet e Lajmit
January 9, 2010
227
Kategoria