
Tiranë, 27 Dhjetor 2011, – Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave, të Rinjve dhe Minoriteteve në Politikë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, organizoi Forumin e Hapur me temë “Reforma Zgjedhore dhe zbatimi i kuotës gjinore në Shqipëri”.
Misioni i Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë është advokimi për rritjen e pjesëmarrjes së grave, të rinjve dhe minoriteteve në Parlament, Qeverisje qëndrore e lokale, parti politike dhe vendim-marrje në përgjithësi.
Qëllimi i Forumit ishte diskutimi lidhur me premisat qe legjislacioni duhet tu krijojë dhe garantojë grave për mundësi të barabarta me burrat, masat që duhet të marrim që në zgjedhjet e 2013-s të zbatohet plotësisht kuota gjinore si dhe mënyrat sesi zbatimi i kuotës të përfshihet në Reformën Zgjedhore.
Ky forum u moderua nga zv/ministrja e MPÇSSHB, znj. Filloreta Kodra; në të morën pjesë deputetet e Parlamentit, znj. Mesila Doda nga PD dhe zj. Vasilika Hysi, PS të cilat premtuan bashkëpunim dhe mbështetje nga ana e tyre si parlamentare për përmirësimin e kodit zgjedhor dhe zbatimin e plotë të kuotës gjinore; Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi; përfaqësuese të Drejtorisë së Shanseve të Barabarta pranë MPÇSSHB; të Drejtorisë së Policisë, përfaqësues të OJF-ve që punojnë për çështjet e grave si edhe përfaqësuese të Forumeve te Grave dhe të të Rinjve të partive politike si PR,LSI; si edhe përfaqësues të Medias.
Nga ky forum u dol me një sërë sugjerimesh që duhen ndjekur në vazhdim për zbatimin e plotë të Kuotës dhe rritjes së pjesmarrjes së grave në vendimmarrje si: lobim dhe bashkëpunim i institucioneve qeveritare, OJF-ve dhe grave parlamentare për përmirësimin e Kodit Zgjedhor; identifikimi i prurjeve të reja gra dhe vajza dhe mbështetja e tyre nga gratë parlamentare; pjesmarrja e organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesuara në seancën dëgjimore që Komisioni i Reformës Zgjedhore pranë Kuvendit të Shqipërisë do të zhvillojë në muajin janar, ku të paraqesin kërkesat e tyre për zbatimin e kuotës gjinore dhe ti mbrojnë ato; të monitorohet zbatimi i kuotës nga shoqëria civile; rritja e presionit nga shoqëria civile si dhe mbështetja e grave kandidate pavarësisht ngjyrimeve politike; unifikimi në Kodin Zgjedhor i formës së pjesmarrjes së grave si në zgjedhjet parlamentare dhe në ato vendore; 1 grua në çdo 3 emra në lista të jetë detyrim ligjor dhe të përfshijë gjithë sistemin politik; ndërhyrjet në sistemin zgjedhor dhe llojin e listave do ndihmonin për të pasur më shumë gra; etj.
Ky forum ishte pjesë e Programit “Promovimi i Demokracisë dhe Qeverisjes se mire nëpërmjet Partive Politike ne Shqiperi” financuar nga Olof Palme International Center dhe SIDA.