
Deklaratë Publike
Tiranë, 19 JANAR 2015 – Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, ka ndjekur me vemendje deklaratat e ditëve të fundit të 3 partive kryesore në vend, PS, LSI dhe PD, lidhur me përfaqësimin gjinor në zgjedhjet vendore 2015, që do të mbahen në 21 Qershor 2015.
Kryetari i Partisë Socialiste dhe Qeverisë, z. Edi Rama, deklaroi publikisht se PS dhe LSI do të mbështesin kërkesën e grave të këtyre partive për të pasur në Këshillat Bashkiakë të ardhshëm barazi të plotë gjinore 50% gra dhe 50% burra. Po ashtu znj. Albana Vokshi, kryetare e Forumit të Gruas të Partisë Demokratike, u shpreh se se PD është zotuar për të patur 50% gra në Këshilla Bashkiakë dhe jo më pak se 1 në 5 gra ose 20% si kandidate për kryetare të Bashkive.
Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, ndonëse i përshëndet deklaratat e partive politike, përëri kërkon t’ju rikujtoj atyre që Kodi Zgjedhor ka prej vitesh të përcaktuar kuotën gjinore 30% si për zgjedhjet kombëtare ashtu edhe për ato lokale. Nga ana tjetër, ne kemi bindjen se partitë politike mund të bëjnë shumë më tepër sesa kaq, duke propozuar 50% të kandidateve për kryetare të ardhshme të 61 Bashkive të reja në Shqipëri të jenë gra dhe vajza, nëse duan të tregohen seriozë me arritjen e barazisë së vërtetë gjinore edhe në politikë.
Kuota 50 % gra për Këshilla Bashkiakë në të njëjtën kohë duhet të bëhet pjesë e Kodit Zgjedhor për tu bërë detyruese në zbatim dhe për të mos mbetur vetëm në deklarata apo vullnet të liderave të partive politike. Nga ana tjetër ne do të kërkonim nga partitë kryesore që të angazhohen për vendosjen në Kod edhe të kuotës 50% gra dhe vajza si kandidate për kryetare të bashkive, pasi Partia Socialiste nuk është shprehur fare për këtë pjesë ndërsa Partia Demokratike deklaron se do të ketë jo më pak se 20% kandidate gra.
Gratë përbëjnë thuajse 51 përqind të popullsisë në Shqipëri dhe ato janë grupi më i madh shoqëror në vend, por ato janë pothuajse të përjashtuara totalisht nga përfaqësimi në drejtimin e bashkive në vend. Në nivel vendor, si kryetare bashkish, ato përfaqësohen vetëm me 3 gra ose 1.8 % e Kryetarëve të Bashkive. Ky fakt e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Botë për pjesmarrjen dhe përfaqësimin e grave në nivel vendor.
Sot është koha që deklaratat dhe premtimet të kthehen në realitet. Partitë parlamentare në Shqipëri nuk mund të fshihen më mbas fjalëve të bukura për të drejtat apo barazinë e grave. Ato duhet që të votojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor, të cilat i japin mundësi çdo gruaje që të kërkojë përfaqësim në vendim-marrje në bazë të kuotës 50 përqind në të gjitha nivelet dhe të ndëshkojnë çdo parti politike që nuk i respekton gratë dhe të drejtat e tyre.