Partitë Dhe Subjektet Politike Në Zgjedhjet 2013 Të Respektojnë Dhe Zbatojnë Kuotën Gjinore 1 Në 3!

Partitë Dhe Subjektet Politike Në Zgjedhjet 2013 Të Respektojnë Dhe Zbatojnë Kuotën Gjinore 1 Në 3!

Tiranë, 2 Maj 2013 - Në fillim të javës së ardhshme të gjitha partitë dhe koalicionet politike që do të marrin pjesë në Zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit 2013, do të bëjnë publike listat e tyre të kandidatëve dhe kandidateve për deputete për Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Deri më tani, përgatitja e këtyre listave është mbajtur në fshehtësi të plotë dhe asnjë nga partitë nuk ka patur një proces demokratik, të hapur dhe pjesmarrës të zgjedhjes  së kandidatëve. Nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të kaluara, Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, është i shqetësuar se partitë kryesore politike do të vijojnë të mos-respektojnë Kuotën Gjinore 1 në 3, duke i lënë qëllimisht gratë në fund të listave rajonale ose duke mos i kandiduar fare. 

Sot, për shkak të mos respektimit të Kuotave Gjinore, Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet e fundit në Botë në lidhje me përfaqësimin e grave në drejtimin e Bashkive / Komunave, ku thuajse 98% e të gjithë drejtuesve janë burra dhe vetëm 2% janë gra. Në të njëjtën kohë, në Kuvendin aktual vetëm 16% e deputetëve janë gra, ndërkohë që 84% janë burra. Këto fakte janë tregues i qartë i diskriminimit dhe përjashtimit politik që i bëhet grave në Shqipëri dhe mungesës së barazisë gjinore në politikën lokale dhe kombëtare.

Nisur nga sa më sipër, Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, i kërkon partive dhe  subjekteve politike që garojnë në Zgjedhjet Parlamentare 2013, sa më poshtë:

  1. ZBATO rigorozisht kuotën gjinore 1 në 3 në listat e kandidatëve për deputetë për të përmbushur angazhimet publike në mbështetje të grave dhe vajzave në politikë;
  2. PËRMBUSH detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor për përfaqësimin e grave dhe vajzave në zgjedhjet parlamentare;
  3. KRIJO mundësi që gratë të jenë pjesë e politikës, sepse barazia gjinore, përfaqësimi dhe pjesëmarrja e tyre në politikë është çështje thelbësore e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut;

Ne i bëjmë thirrje të gjithë forcës së arsyes tuaj që të kuptoni se çështja e përfaqësimit me të paktën 30% të grave dhe vajzave në Kuvendin e ardhshëm, nuk është thjesht një çështje për arritjen e barazizë gjinore, por ajo është një tregues sesa të zhvilluar dhe demokratike duam ta bëjmë ne vendin dhe shoqërinë tonë! 

Në Shqipëri, si në çdo vend të botës, asnjëherë nuk do të ketë barazi midis grave dhe burrave, nëse pjesëmarrja dhe përfaqësimi në vendim-marrje nuk është i barabartë. Ne besojmë se Shqipëria nuk do të avancojë politikisht, ekonomikisht dhe nga ana shoqërore, nëse nuk arrijmë barazinë e vërtetë midis të gjithë njerëzve.

RESPEKTO KUOTËN 1 NË 3! RESPEKTO LIGJIN DHE TË DREJTAT E GRAVE!

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL