Të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria bëhen deputetë për një ditë dhe diskutojnë miratimin e një ligji në mbështetje të të drejtave të tyre

Tiranë, 24 Shtator 2019 – Parlamenti Rinor Tiranë në bashkëpunim me CRCA/ECPAT Shqipëri, organizoi për herë të parë Modelin e Parlamentit të Shqipërisë, në kuadër të programit “Nga Fëmijët për Fëmijët”, që zbatohet nga Save the Children në Shqipëri me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.
Takimi u mikëprit nga Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet Aleancës së Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”. Qëllimi kryesor i takimit ishte të ndërtojë ura dialogu dhe bashkëpunimi midis ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të rinjve në Shqëipëri. Të rinjtë erdhën nga shkollat e mesme dhe nëntë-vjeçare në Tiranë, Burrel, Durrës, Elbasan dhe Peshkopi.
Modeli i Parlamentit të Shqipërisë është një program përgatitjeje dhe edukimi joformal, që synon forcimin e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve në vendimarrje, duke i përgatitur ata të bëhen politikanët dhe zyrtarët publikë të ardhshëm. Të rinjtë dhe të rejat ndajnë interesa të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve rinore, çështjeve që lidhen me gjendjen e të drejtave të fëmijëve, integrimin europian të Shqipërisë dhe rolit që duhet të kenë të rinjtë në këto procese.
Programi udhëhiqet nga vetë të rinjtë dhe ndër të tjera ka si qëllim dhe të edukojë të rinjtë në nivelin e shkollës së mesme për hartimin dhe zbatimin e politikave, ligjeve apo nismave të ndryshme ligjore në funksion të rritjes së mirëqënies së qytetarëve të Shqipërisë. Modeli i Parlamentit të Shqipërisë synon gjithashtu që të përgatisë të rinjtë për të qenë pjesëmarrës në proceset ligj-bërëse dhe vendimarrëse.
Nën prezencën e shumë deputetëve të Kuvendit, të rinjtë morënnë shqyrtim një nismë legjislative, e cila ndoqi rrjedhën normale të diskutimit dhe miratimit të saj. Ndërkohë mëpas u organizua edhe një seancë finale e diskutimit dhe miratimit të nismës legjislative, duke ndërtuar një debat me argumenta në procesin ligjvënës në Shqipëri.
Pjesëmarrja e fëmijëve dhe e të rinjve është një ndër parimet bazë të sanksionuara nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës. CRCA /ECPAT Shqipëri dhe Save the Children prej vitesh i janë dedikuar rritjes së pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të të rinjve në proceset vendimarrëse në nivel qëndror dhe lokal. Që prej vitit 2017, të dyja organizatat kanë punuar së bashku për të fuqizuar fëmijët dhe të rinjtë në pesë qytete të Shqipërisë, përmes aktiviteteve dhe nismave avokuese, duke i përfshirë fëmijët dhe të rinjtë ndër të tjera në punë kërkimore, e cila rezultoi në përgatitjen e Raportit për Situatën e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Ervjola Osmanaj
Këshilltare për të Drejtat e Fëmijëve dhe të të Rinjve
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
September 24, 2019
274
Kategoria