Tiranë, 14 Qershor 2019 – Parlamenti Rinor Tiranë, si përfaqësues i të gjithë gjimnazistëve të kryeqytetit, për herë të parë në Shqipëri, iu bashkua lëvizjes së miliona të rinjve në botë, “Fridays For Future”. Në shumë vende të botës, të rinjtë i janë bashkuar lëvizjes globale që ndërmori 16 vjeçarja suedeze e nominuar për çmimin NOBEL, Greta Thunberg, për mbrojtjen e mjedisit në botë dhe ngrohjen globale. Në këtë lëvizje që është përhapur së fundmi kudo, kanë hyrë për herë të parë edhe fëmijët e të rinjtë e Tiranës.
Mbrojtja e mjedisit, është një nga problematikat që është evidentuar shpesh nga fëmijët dhe të rinjtë në të gjitha qytetet e vendit, përfshirë edhe Tiranën. Ata nëpërmjet mesazheve që shpërndanë kërkuan të sensibilizojnë opinionin publik dhe median për shkatërrimet klimaterike që shpesh krijon vetë dora e njeriut dhe ndikimin që ato japin kudo në përditshmërinë tonë.  Fëmijët dhe të rinjtë e Parlamentit Rinor Tiranë, u mblodhën bashkë për të unifikuar zërin e tyre në mbrojtje të mjedisit. Mesazhet e shkruara në pankarta mes tyre thirrjet e fëmijëve dhe të rinjve “Ndryshoni politikat, jo klimën” si dhe “Toka është pasuri e të gjithëve” iu drejtuan nga vetë fëmijët dhe të rinjtë institucioneve publike si edhe qytetarëve mbi pasojat tejet negative të shkatërrimit të mjedisit.
Takimi u organizua nga CRCA/ECPAT Shqipëri, Save the Children dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në kuadër të programit “Nga Fëmijët për Fëmijët”. Pjesëmarrja e fëmijëve është një ndër parimet bazë të sanksionuara nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e megjithatë në Shqipëri ai mbetet edhe një ndër më të vështirët për t’u zbatuar. CRCA /ECPAT Shqipëri dhe Save the Children prej vitesh i janë dedikuar nxitjes së pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të të rinjve në proceset vendimmarrëse në nivel qëndror dhe lokal.
Që prej vitit 2017, të dyja organizatat kanë punuar së bashku për të fuqizuar fëmijët dhe të rinjtë në pesë qytete të Shqipërisë, në mënyrë që ata të marrin pjesë në përgatitjen e raportit të përbashkët mbi gjendjen e fëmijëve në Shqipëri dhe bazuar në gjetjet e tij, të ndërtojnë dhe zbatojnë plane avokatie lokale në qytetet e tyre respektive.
Në çdo qytet fëmijët dhe të rinjtë kanë evidentuar nga një problematikë si dhe kanë përcaktuar planet e tyre të avokatisë. Në qytetin e Tiranës “Parlamenti Rinor” ka evidentuar si problematike kryesore mungesën e përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse.
 
Për më tepër informacion, ju lutem kontaktoni në adresën: info@crca.al
 


Detajet e Lajmit
June 14, 2019
303
Kategoria