“Përtej Rrënojave!” – një ekspozitë e ndërtuar tërësisht mbi punimet e fëmijëve të prekur nga tërmeti, u hap sot te “Reja” në kryeqytet, me mbështetjen e Ambasadës së Sllovenisë në Tiranë

Tiranë, 24 Nëntor 2020 – Mbi 180 punime të fëmijëve, shumica të realizuara në kampet për viktimat që i mbijetuan tërmetit të 26 Nëntorit 2019, janë prezantuar sot në ekspozitën e ndërtuar tërësisht mbi punimet e fëmijëve, të titulluar ‘’Përtej Rrënojave”.  Ekspozita u organizua nga CRCA/ECPAT Shqipëri me mbështetjen e Ambasadës së Sllovenisë në Tiranë.
Drejtori i CRCA, Altin Hazizaj, nënvizoi faktin se “Fëmijët e tërmetit kanë ende shumë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. CRCA e kishte kthyer këtë event në një premtim për ata fëmijë që përjetuan një prej ndodhive të vështira për familjet e tyre. Optimizmi dhe mesazhi që përcjellin punimet e fëmijëve, janë një leksion jete për të gjithë ne.”

Po në këtë kuadër, u zhvillua edhe një ankand me rreth 30 punime të fëmijëve. Përgjatë ankandit u bë e mundur shitja e vizatimeve, letrave të shkruara nga fëmijët dhe punimeve të tyre, së bashku me një krijim-përrallë të realizuar sërish nga fëmijët. Të gjitha të ardhurat e këtij ankandi do të shërbejnë për blerjen e tabletave, të cilat do të shpërndahen më pas te fëmijët e prekur nga tërmeti, për t’i mundësuar atyre mësimin në distancë. Të pranishëm në ekspozitë dhe ankand ishin Ambasadorë të vendeve perëndimore në Shqipëri, përfaqësues të biznesit dhe shoqërinë civile.
Ndërsa Ambasadori Sllovenisë në Tiranë, Peter Japelj, tregoi përjetimin e tij që në momentin e përballjes me tërmetin duke theskuar se “Punimet e fëmijëve shprehin dashuri, shpresë dhe optimizëm, gjëra për të cilat ka nevojë Shqipëria”.

Një vit më parë, vendi ynë u përfshi nga një tërmet që shkaktoi dëme si në jetë njerëzore ashtu edhe materiale. Durrësi, Lezha, Laçi e Tirana, ishin qytetet më të prekura nga tërmeti me magnitudë 6.4.
Vetëm disa ditë më vonë, fëmijë nga e gjithë Shqipëria nisën të na shkruajnë dhe të na dërgojnë në faqet tona në rrjetet sociale, skicime, piktura, vizatime, mesazhe e përralla zanore etj. Të gjitha këto punime e shumë të tjera pas tyre, që u mblodhën nga stafi dhe ekspertët e CRCA/ECPAT Shqipëri, të shpërndarë në kampet e çadrat që u ngritën për të gjithë ata që mbetën pa shtëpi, ne vendosëm që t’i ekzpozojmë në një ekspozitë të posaçme, e cila do të vendoste fëmijët në qendër të saj dhe do të nxiste bamirësinë për fëmijët e prekur nga tërmeti.
Punimet e fëmijëve, nuk përmbajnë vetëm mendime të hedhura shkarazi apo përjetime fëminore, ato shpesh sjellin edhe mesazhe të forta që vijnë nga fëmijët që janë si një leksion i fortë e goditës për shoqërinë tonë dhe për kohën në të cilën po jetojmë.


Detajet e Lajmit
November 24, 2020
186
Kategoria