Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë me mbështetjen e UNIFEM finalizon manualin e trainimit “Të Drejtat e Grave dhe Pjesmarrja e tyre në Politikë”

Tiranë, 24 Qershor 2009 – Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave, të Rinjve dhe Minoriteteve në Politikë, njoftoi sot finalizimin e Manualit te Trainimit “Të Drejtat e Grave dhe Pjesemarrja e tyre në Politikë”.
Ky Manual ka për qëllim që t’ju vijë në ndihmë grave dhe vajzave të Forumeve të partive politike, organizatave që punojnë me/për gratë, si dhe shoqërisë civile në tërësi. Manuali ndihmon në lehtësimin e punës së trainerëve, forumeve e OJF-ve që trainojnë gra e vajza përsa i përket çështjes së të drejtave të grave dhe pjesmarrjes së tyre në politikë.
Fokusi i manualit është përqëndruar në rritjen e ndërgjegjësimit të grave për të drejtat e tyre dhe legjislacionin kombëtar për barazinë gjinore. Ai fokusohet në rritjen e kapaciteteve të grave, forumeve të tyre politike dhe OJF-ve, përsa i përket mënyrës së advokimit me partitë politike për angazhimin e grave në proceset zgjedhore dhe politike në vend etj. Mobilizimi i medias për mbështetjen e grave në zgjedhje përbën një kapitull të veçantë në Manual, ndërkohë që një pjesë e rëndësishme e tij i kushtohet mobilizimit dhe angazhimit të grave dhe vajzave si votuese.
Manuali është ndarë në katër module kryesore: Të Drejtat e Grave; Lobimi dhe Avokatësia për Rritjen e Pjesmarrjes së Grave në Politikë; Organizimi i Fushatës Derë- më-Derë në Mbështetje të Grave si Votuese dhe Kandidate në Zgjedhje; Media dhe Pjesëmarrja e Grave në Politikë.
Përveç Koalicionit dhe grupit kryesor të ekspertëve të përbërë nga Prof. Dr. Aurela Anastasi, deputetja Diana Çuli, Aurela Bozo (MA), Etleva Bisha (MA) dhe Arben Muka, për përgatitjen e Manualit kontribuan një sërë organizatash partnere dhe ekspertësh, të cilët sygjeruan dhe komentuan mbi përmbajtjen e Manualit.
Ky manual u përgatit në kuadër të programit “Gratë për Ndryshim”, zbatuar nga Koalicioni dhe mbështetur nga UNIFEM. 


Detajet e Lajmit
June 24, 2009
265
Kategoria