
Tiranë, 15 Korrik 2014– “Çdo fëmijë rom do të regjistrohet në kopsht, pavarësisht nëse në momentin e regjistrimit e ka çertifikatën e lindjes dhe çertifikatën e vaksinimit” tha Znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit e cila morri pjesë në Forumin e Hapur “Çdo fëmijë rom në kopsht” organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, UNICEF dhe CRCA Shqipëri në kopshtin “Bregu i Lumit” në Njësinë Bashkiake Nr. 11. Ky forum shënoi një hap të ri drejt integrimit të fëmijëve rom në sistemin arsimor publik, një pikë vendimtare përsa i përket ndryshimit të sjelljes nga ana e institucioneve drejt komunitetit rom, duke trokitur në dyert e familjeve të komunitetit rom në mënyrë që sa më shumë fëmijë të këtij komuniteti të integrohen në sistemin arsimor.
Forumi “Çdo fëmijë rom në kopsht” kishte për qëllimndërgjegjësimin einstitucioneve vendore, arsimore, dhe të shëndetësisë për të bërë prioritet përfshirjen dhe integrimin e fëmijëve rom në kopshte dhe grupe parashkollore.Ai solli së bashkudrejtuesit e kopshteve dhe shkollave 9-vjeçare të Tiranës, Drejtoritë Arsimore Rajonale, qendrat shëndetësore, njësitë e qeverisjes vendore, NJMF, organizata të shoqërisë civile rome dhe jo rome, nëna dhe fëmijë.Forumi u moderua nga inspektorja e DAR Tiranë, Znj. Jonida Matohiti e cila tha: “Ky takim zhvillohet në kuadër të politikave përfshirëse që kopshtet dhe shkollat duhet të ndjekin për integrimin e fëmijëve rom në arsimin parashkollor”.
Në fjalën e tij, Z. Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF-it, tha, “E ardhmja e një individi nuk përcaktohet nga koha kur arrin të marri një diplomë universiteti. Nëse keni sukses në jetë, nëse do të jeni në gjendje të mësoni, mënyra si do të socializoni apo si do të gjeni një punë, janë të gjitha të përcaktuara përpara se të hyni në shkollë…Mësuesit duhet të ngrihen për të drejtën e fëmijëve rom për të ndjekur kopshtin. Dëshironi të ndryshoni Shqipërinë? Dëshironi të bëheni pjesë e Bashkimit Europian? Atëhere ngrihuni dhe siguroni që fëmijët rom të mirëpriten në kopshtet tuaja. Autoritetet lokale në mënyrë proaktive duhet ta ndjekin dhe të kërkojnë progres në këtë aspekt.”
Ministrja Nikolla, në fjalimin e saj tha,“Çdo fëmijë rom do të regjistrohet në kopsht, pavarësisht nëse në momentin e regjistrimit e ka certifikatën e lindjes dhe çertifikatën e vaksinimit. Kjo nuk do të thotë se do të heqim dorë nga ky detyrim, ai do t’i kalojë MAS-it”. “Ne nuk do të presim që nënat rome të trokasin në dyert e institucioneve, por do të jenë edukatorët, mësuesit, do të jem unë që do të trokas pranë familjeve të komunitetit rom për të sqaruar se sa e rëndësishme është pjesëmarrja dhe regjistrimi i fëmijëve në kopshte”.
Forumi u përshëndet edhe nga gjyshja e një fëmije të integruar në kopshtin Bregu i Lumit nga CRCA Shqipëri gjatë këtij viti. Znj. Nexhmije vlerësoi prezencën e Ministres në këtë komunitet dhe midis fëmijëve të bregut të lumit. Edukatorja e kopshtit, e cila kishte një eksperiencë 25 vjeçare, ndau me të pranishmit përvojën dhe punën e saj me nënat dhe gjyshërit për ti bindur që fëmijët e tyre të ndiqnin kopshtin.
Në këtë kuadër, më 21 Korrik 2014 Ministria e Arsimit dhe Sportit miratoi Udhëzimin “Për rritjen e frekuentimit të arsimit parashkollor nga fëmijët rom” i cili i’u dorëzua të gjithë Drejtorive Arsimore Rajonale të vendit. Ky udhëzim është i një rendësie të lartë, duke bërë të qarta prioritetin dhe vlerën e shtuar që arsimi parashkollor ka në jetën e fëmijëve që vijnë nga shtresa të disavantazhuara.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Mersila Ballo
HRH, CRCA Shqipëri
Tel: 0694060392; E-mail: mersila.ballo@crca.al