
Tiranë 2 Dhjetor 2015 – Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë në bashkëpunim me Shtëpia e të Drejtave të Njeriut/CRCA Shqipëri hapën sot fazën finale të votimit për Vlerësimin Kombëtar “Gruaja e Vitit 2015”.
Kjo iniciativë, e lançuar në muajin Shtator të këtij viti, ka për qëllim të fuqizojë kauzën e të drejtave dhe avancimit të grave dhe vajzave në Shqipëri, si një mjet që kontribuon në evidentimin dhe mbështetjen e tyre në fusha të vështira shoqërore si politika, media dhe shoqëria civile.
Në link-un www.crca.al/voto mund të votohet për kandidaturën e preferuar për secilën kategori. Faza e votimit do të zgjasë deri më datë 20 Dhjetor. Më pas do të lançohen dhe ndahen çmimet fituese sipas tre kategorive.
Faza e Votimit u parapri nga faza e nominimit online të emrave të grave dhe vajzave që kanë dhënë kontributin e tyre përgjatë vitit 2015 në vendin tonë, në tre kategori: Gruaja e Vitit 2015 në Politikë;Gruaja e Vitit 2015 në Media; Gruaja e Vitit 2015 në Shoqëri Civile. Kjo fazë zgjati 4 javë dhe në përfundim të saj rezultuan rreth 52 aplikime me 37 emra të nominuar në të tre kategoritë. Kategoria Gruaja e Vitit 2015 në Shoqëri Civile pati numrin më të lartë të nominimeve me 13 emra, e ndjekur nga 2 Kategoritë e tjera me nga 12 emra secila.
Bazuar tek numri më i lartë i emrave të nominuar u përzgodhën 10 kandidate zonja për secilën nga kategoritë Politikë dhe Media, ndërsa 9 kandidate në kategorinëShoqëri Civile, për të vazhduar garën e votimit online.
Dhënia e këtij Vlerësimi, do të synojë të shërbejë gjithashtu si një nxitje për gratë dhe vajzat në fushat e sipërpërmendura për të mbështetur dhe përkrahur gra dhe vajza të tjera, në vitet në vijim, të cilat dëshirojnë të punojnë e kontribuojnë në politikë, shoqëri civile dhe media.
Vlerësimi Kombëtar organizohet nga Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë në bashkëpunim me Shtëpia e të Drejtave të Njeriut/CRCA Shqipëri, në partneritet dhe me mbështetjen e Olof Palme International Centre.