UNICEF, CRCA dhe MAS së bashku për “Çdo Fëmijë Rom në Kopsht”

UNICEF, CRCA dhe MAS së bashku për “Çdo Fëmijë Rom në Kopsht”

Tiranë, 22 Janar 2014 - Përfaqësues të institucioneve qeveritare, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare, sot në mesdite morën pjesë në tryezën e hapur konsultuese të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në kuadër të iniciativës më të re të UNICEF “Çdo Fëmijë Rom në Kopsht”. Qëllimi kryesor i kësaj tryeze ishte prezantimi dhe koordinimi i ndërhyrjes si dhe krijimi i partneritetit mes institucioneve për të arritur objektivin që çdo fëmijë rom të gëzojë të drejtën e përfshirjes në arsimin parashkollor. Kjo iniciativë finacohet nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri dhe Kooperimi Austriak për Zhvillimin dhe zbatohet nga tre organizata partnere: Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve -CRCA Shqipëri, Observatori për të Drejtat e Fëmijëve - OCR dhe Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare-YWCA.

Takimi u hap dhe moderua nga  Zëvendësministrja Nora Malaj. Ajo u shpreh se: Arsimi parashkollor është pjesë e rëndësishme e së ardhmes së fëmijëve të shoqërisë sonë. Kjo iniciativë ecën paralel me idenë dhe projektin madhor të qeverisë, e cila është angazhuar për sigurimin e arsimit parashkollor për çdo fëmijë rom. Arsimi është publik, është i të gjithëve, është mision kombëtar dhe në këtë mision duhet të bëhemi të gjithë pjesë, në mënyrë që shoqërisë t’i ofrojmë shërbimin më të mirë të mundshëm.

Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Z. Detlef Palm në fjalën e tij u ndal në rëndësinë e fëmijërisë së hershme në jetën e çdo njeriu, padiskutim edhe të fëmijëve të komunitetit rom. “ Pushteti vendor dhe institucionet duhet të bëjnë çdo gjë të domosdoshme për të siguruar që fëmijët 3-6 vjeç të gëzojnë çdo të drejtë. Autoritetet vendore duhet të buxhetojnë domosdoshmërisht këto ndërhyrje, pasi kjo do të kontribuonte në përshrijen sociale të komunitetit të tyre”. Tryeza vijoi me diskutime dhe rekomandime për çështjet e integrimit të fëmijëve rom në arsimin parashkollor.

CRCA Shqipëri në kuadër të kësaj nisme është e angazhuar në katër qarqe të Shqipërisë: Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Gjirokastër. Ajo do të punojë në 19 Bashki dhe 100 Komuna të cilat në bazë të studimit të UNICEF të 2011, kanë një popullsi rome prej 5608 dhe 397 fëmijë të moshës 3-6 vjeç. Sipas këtij studimi popullsia totale e komunitetit rom është përafërsisht 14 mijë persona nga të cilët 1079 të moshës 3-6 vjeç. Kjo ndërhyrje ka për qëllim ndërveprimin e shoqërisë civile dhe bashkëpunimin e ngushtë me shërbimet sociale, punonjësit sociale pranë Bashkive dhe Komunave, drejtorive rajonale të arsimit  dhe institucionet e tjera që ofrojnë kujdes dhe mbrojtje për fëmijët. Punësimi dhe angazhimi i të rinjve rom në këtë iniciativë dhe fuqizimi  i vetë komunitetit rom janë disa vlera të shtuara të kësaj nismë. Ajo gjithashtu, synon ti kushtojë vëmendje të veçantë dhe të ndihmojë në kapërcimin e fenomenit të braktisjes së kopshtit nga ana e fëmijëve 3-6 vjeç që i përkasin komunitetit rom.

Për më shumë informacion, kontaktoni në adresën: mersila.ballo@crca.al ose në numrin e telefonit +355 694060392.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL