Studentët e Universiteteve Publike në Shqipëri vazhdojnë protestën për uljen e tarifave

Studentët e Universiteteve Publike në Shqipëri vazhdojnë protestën për uljen e tarifave

Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e 15 të saj, ndërkohë që Qeveria ende nuk i ka dhënë zgjidhje kërkesave të tyre

Tiranë, 19 Dhjetor 2018 – Prej 15 ditësh studentët e të gjitha Universiteteve publike në Shqipëri kanë nisur një protestë për të detyruar qeverinë të plotësojë kërkesat e tyre për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë në arsimin e lartë në vend. Shqipëria, një vend me rreth 3 milionë banorë, ka 12 universitete publike, ku studiojnë rreth 120 mijë studentë, të përqendruara kryesisht në qendrat më të mëdha urbane. 

Protesta e studentëve nisi rreth dy javë më parë përpara Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit, por për shkak të mos reagimit të Qeverisë, ajo u zhvendos para ndërtesës së Qeverisë, në bulevardin kryesor të Tiranës.  Diskutimi i kërkesave të studentëve në Kuvendin e Shqipërisë është bërë thuajse i vështirë edhe për shkak të bojkotit të parlamentit për gati gjashtë muaj nga dy partitë kryesore opozitare.

Studentët, të cilëve iu janë bashkuar edhe shumë gjimnazistë të shkollave të mesme në Tiranë, i kanë drejtuar Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit, një peticion me 8 kërkesa, për të cilat studentët kanë deklaruar se janë të panegociueshme.

Kërkesat kryesore të studentëve lidhen me rritjen e buxhetit për arsimin me 5 % të GDP-së, përgjysmimi I tarifave të studimit, denoncimi i korrupsionit në universitete, përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe infrastrukturës në auditore.

Që prej fillimit të protestës, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri, ka mbështetur publikisht kërkesën e studentëve për rritjen e buxhetit në masën 5 %, një kërkesë kjo e koalicionit prej vitesh drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit. Rreth 31 organizata iu bashkuan deklaratës publike të ACE drejtuar Qeverisë Shqiptare në mbështetje të studentëve, për të kërkuar 5% të GDP-së për arsimin në vend, duke filluar nga viti 2019.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Linda Pino,

Koordinatore Kombëtare e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri

E-mail: linda.pino@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL