Shqipëria “ngel në klasë” për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale

Shqipëria “ngel në klasë” për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale

“The Economist” nëpërmjet një analize të Njësisë së saj të Inteligjencës ndan shqetësimin mbi dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe problemet që kanë vendet për mbrojtjen e tyre

Tiranë, 29 Janar 2019 - Indeksi “Jashtë Hijeve” i liderit global The Economist Intelligence UNIT, në analizën e tij mbi 40 vende të botës, i jep zero pikë Shqipërisë për mekanizmat jofunksionalë të saj për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale. Në renditjen globale, Shqipëria zë vendin e 26, ndërmjet 40 vendeve të marra në konsideratë.  Studimi mbi abuzimin dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve krahason zhvillimet dhe masat që kanë marrë vendet për t’iu përgjigjur kërcënimit të dhunës seksuale dhe shfrytëzimit të fëmijëve. 

“Out of Shadows” vlerëson Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), dhe Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë ALO 116 111 si të vetmet mekanizma që raportojnë dhe ofrojnë udhëzime për kërcënimet, shfrytëzimin dhe dhunën seksuale tek fëmijët.

Indeksi në vlerësimin e tij të vendeve është ndarë në dy pjesë: fushat e progresit dhe mangësitë e vërejtura. Në raport cilësohet se Shqipëria ka arritje në krijimin e një kornize ligjore efektive për ta luftuar dhunën seksuale ndaj fëmijëve. Shqipëria ka miratuar të gjitha konventat ndërkombëtare. Ndërsa Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme si dhe institucionet e tjera si Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve paraqesin të dhëna mbi numrin e shkeljeve që regjistrohen nga abuzimet seksuale te fëmijët. Këto të dhëna mblidhen nga Instituti i Statistikave, por nuk specifikohen se cilat krime i përkasin fëmijëve. Ndër mekanizmat e raportimit cilësohet se Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë ALO 116 është në dispozicion të publikut dhe fëmijëve dhe verifikon, referon dhe raporton të gjitha shifrat që vijnë drejt saj të rasteve të shfrytëzimit, kërcënimit si dhe abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Ndër mangësitë që ky raport rendit për Shqipërinë mund të permendim: mungesa e mbrojtjes së fëmijëve të dhunuar seksualisht, ndërkohë që po zero pikë merr edhe mbrojtja e fëmijëve në internet. Shqipëria merr notën zero edhe për mos-mbledhjen e të dhënave të detajuara mbi dhunën seksuale tek fëmijët, si dhe angazhimin e paktë të mediave në këtë proces. Indeksi vlerëson si problematike mos rregullimin ligjor në lidhje me blerjen e shërbimeve seksuale nga të miturit. Neni 113 i Kodit Penal, ndonëse e ndalon prostitucionin, nuk specifikon mbrojtjen apo trajtimin që i bëhet nga ligji, fëmijëve që punojnë si punonjës seksi apo që ofrojnë shërbime seksuale.

Raporti gjithashtu kritikon Shqipërinë për mungesën e programeve të parandalimit dhe trajtimit social të autorëve të krimeve seksuale. Vendi ynë nuk ofron asnjë program mbështetës  për dhunuesit si një mënyrë për parandalimin e krimeve seksuale.

Sipas studimit BECAN thuajse 12% e fëmijëvë dhe adoleshëntëve në Shqipëri janë viktima të ngacmimeve seksuale dhe rreth 5 % e tyre janë viktima të abuzimit seksual.

“Out of Shadow”, është një studim i përvitshëm i Njësisë së Inteligjencës së Revistës The Economist. Studimi shqyrton mjedisin në të cilin ndodh dhe adresohet çështja; shkallën në të cilën kuadri ligjor i një vendi siguron mbrojtjen për fëmijët nga dhuna seksuale; angazhimin dhe kapacitetet e qeverive të vendeve të ndryshme në pajisjen me personel të institucioneve përkatëse dhe reagimin e tyre në mënyrë të përshtatshme si dhe angazhimin e industrisë, shoqërisë civile, mediave në përpjektet e tyre për ta zgjidhur problemin etj.

Informacionin e plotë mbi vlerësimin për Shqipërinë  mund të gjeni në faqen e studimit të revistës The Economist Intelligence Unit ;

https://outoftheshadows.eiu.com/wp-content/uploads/2019/01/AL_ALBANIA_PROFILE.pdf

Ndërsa të gjithë punën që CRCA Albania ndërrmer për mbrojtjen e fëmijëve ndaj dhunës seksuale, ju mun ta gjeni në faqen;  https://www.crca.al/sq

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL