Shqipëri: Mbi 100 gra dhe vajza të vrara në 18 vjet!

Shqipëri: Mbi 100 gra dhe vajza të vrara në 18 vjet!

16 gra dhe vajza të vrara vetëm gjatë vitit 2018! Bashkitë përgjegjëse për situatën ndaj grave dhe vajzave! Mungesa e shërbimeve komunitare për fuqizimin e familjeve dhe zgjidhjen e konflikteve, prodhon viktima dhe krim kudo në Shqipëri!

Tiranë, 26 Nëntor 2018 – Të jesh grua apo vajzë në Shqipëri është kthyer në një rrezik serioz për jetën. 16 gra dhe vajza nuk i mbijetuan dhunës në familje gjatë vitit 2018. Mbi 100 gra dhe vajza janë vrarë dhe masakruar përgjatë 18 vjetëve të fundit të tranzicionit në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti janë dhënë mbi 4000 urdhëra mbrojtje nga gjykata!

Që prej vitit 2010 në Shqipëri kanë humbur jetën 106 gra dhe vajza, viktima të dhunës në familje, 73 prej të cilave janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.Në 90 përqind të vrasjeve autorët janë meshkujt.  

Vajzat dhe gratë përbëjnë thuajse gjysmën e popullsisë me një popullsi rreth 1,431,714 persona (INSTAT). Në Shqipëri dhuna në familje vazhdon të jetë e përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë. Sipas INSTAT / UNDP mbi 53 % e tyre, ose rreth 750 mijë gra dhe vajza në Shqipëri, deklarojnë se kanë qenë të paktën një herë në jetën e tyre viktima të dhunës në familje. Përmasat e dhunës në familje janë edhe më të mëdha pasi pjesa më e madhe e rasteve nuk denoncohen, për shkak sepse viktimat e shohin dhunën në familje si një ҫështje private.

“Armët nuk vrasin njerëz, njerëzit vrasin njerëz!“ - shkruante Ariela Murati, 22 vjeçe, studente ekselente e Fakultetit Juridik, vrarë në datë 21 Janar 2018, para Fakultetit të Mjeksisë, Tiranë.

CRCA Shqipëri, një ndër organizatat kryesore për të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve në vend, në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit për eleminimin e dhunës me bazë gjinore, me anë të këtij reagimi publik, kërkon të shprehë shqetësimin e saj për situatën tepër të rëndë dhe ende të pazgjidhur të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri.

“Shqipëria po kthehet në një shesh-beteje për të drejtat e grave dhe vajzave! Nga njëra anë kemi një lëvizje gjithnjë në rritje të shoqërisë për arritjen e barazisë burrë-grua, por nga ana tjetër vlerat tradicionale dhe kulturore që e shikojnë dhe e trajtojnë vajzën dhe gruan si pronë prodhojnë dhunë dhe vrasje! Në këtë drejtim përgjegjësi kryesore mbajnë Bashkitë kudo në Shqipëri, pasi në 28 vjet nuk kanë arritur të ndërtojnë thuajse asnjë shërbim komunitar për fuqizimin e familjeve dhe zgjidhjen e konflikteve.” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA dhe antar i Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore në Shqipëri.

Raportet Kombëtare tregojnë se viktimat e dhunës në familje, përballen çdo ditë me mungesa në shërbime apo edhe indiferencën e institucioneve shtetërore. Shërbimet në familje apo ato komunitare pasi ndodh dhuna, janë thuajse inegzistente, pavarësisht se Bashkitë e kanë për detyrë që t’I ofrojnë ato për këdo. Ndërkohë që parandalimi i dhunës dhe mësimi i modeleve të reja të komunikimit dhe zgjidhjes së konflikteve që në fëmijërinë e hershme ende nuk kanë dhënë ndonjë impakt në drejtim të eleminimit të dhunës. Kultura e dhunës mbetet ende prevalente në shkollë, në shoqëri dhe në marrëdhëniet familjare.

Në këtë ditë, CRCA Shqipëri i drejtojmë këtë thirrje të hapur jo vetëm Qeverisë, por sidomos drejtuesve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal, të të gjitha bashkive në vend, të financojnë shërbime të mirëfillta komunitare për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje. Nga ana tjetër ne po i ri-kërkojmë Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit, ngritjen e një Programi Kombëtar për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në shkollë, pasi shkollat janë një ndër mjediset kryesore ku manifestohen gjerësisht pasojat e dhunës në familje.

25 Nëntori u zgjodh si Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës me bazë Gjinore nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Kjo datë përkon me vrasjen makabre të 3 motrave Mirabal në Republikën Domenikane, në vitin 1960, një vrasje kjo që u kthye në një lëvizje popullore kundër dhunës dhe që kujtohet çdo vit në të gjitha vendet e botës. Kjo ditë kërkon të ndërgjegjësojë mbarë botën dhe opinionin publik që të denoncojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave. Më shumë se një e treta e grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale në një moment në jetën e tyre.

 

GRA DHE VAJZA TË VRARA GJATË VITIT 2018 NË SHQIPËRI

  • 20 Janar 2018, vritet pranë Fakultetit të Mjekësisë, studentja 22 vjeçare A. M në Tiranë.
  • 21 Janar 2018, vritet në shtëpinë e saj, 73 vjeçarja S. H në qytetin e Vlorës.
  • 5 Prill 2018, vritet Z. T, 68 vjeçe, nëna e 6 fëmijëve në shtepinë e saj.
  • 27 Prill 2018, vritet në shtëpinë e saj, gruaja S.SH, 58 vjeçare në Shkodër.
  • 27 Maj 2018, vritet 52 vjeçarja E.T në shtëpinë e saj, pas shumë goditjeve vdekjeprurëse.
  • 30 Maj 2018, vritet në automjetin e saj, 34 vjeçarja, F.N, madje në sy të fëmijës së mitur.
  • 7 Qershor 2018, vritet në shtëpinë e saj nga djali, nëna 50 vjeçe, Z.S në Peshkopi.
  • 8 Qershor 2018, vritet në shtëpi, 40 vjeçarja,  A.Sh, nëna e 6 fëmijëve.
  • 9 Qershor 2018, duke shkuar në shkollë, vritet në mes të rrugës 18 vjeçarja XH. Ç.
  • 10 Qershor 2018, vritet dhe hidhet në rrugë, trupi i 20 vjeçares, A. M.
  • 4 Korrik 2018, vritet në banesën e saj 61-vjeçarja S. L. në Elbasan.
  • 15 Korrik 2018, vritet në Shkodër pranë fëmijës 1 vjeç, S.N vajza 25 vjeçare.
  • 10 Gusht 2018, vritet  P. Z., 78 vjeç, V. Z. 40-vjeç, S. Z., 15 vjeç dhe A. Z.47-vjeç.

Donors and Partners

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL