Shpëtoni nga vdekja, për shkak të urisë, fëmijët e varfër në Shqipëri!

Shpëtoni nga vdekja, për shkak të urisë, fëmijët e varfër në Shqipëri!

Drejtuar:

z. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë

z. Edi Rama, Kryetar i Këshillit të Ministrave

z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

znj. Ogerta Manastirliu, Ministër i Shëndetësisë dhe Kryetare e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve

znj. Olta Xhaçka, Ministër i Mbrojtjes

znj. Anila Denaj, Ministër i Financave

Tiranë, 25 Mars 2020 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri), nëpërmjet kësaj deklarate ju drejtohet me këtë thirrje të hapur, si përfaqësues të lartë të shtetit, që të ktheni sytë dhe të mos harroni në asnjë moment fëmijët e varfër në Shqipëri, që janë të izoluar për shkak të Covid-19.

Në Shqipëri jetojnë të paktën 100,000 fëmijë, të cilët nuk e kanë të garantuar një vakt ushqimi në ditë.Sipas Bankës Botërore, në vendin tonë të paktën 14% e popullsisë jeton në varfëri absolute, që do të thotë se të paktën 400,000 persona janë të ekzpozuar ndaj pasojave të rënda të saj, si: mungesa e ushqimit, uria, mungesa e mjeteve për higjenën personale, sëmundje të patrajtuara për shkak të mungesës së ilaçeve etj. Të gjithë këta persona janë të rrezikuar nga vdekja për shkak të urisë!

Që prej vendosjes në karantinë, familjet e këtyre fëmijëve, që jetojnë në varfëri absolute, nuk kanë asnjë mundësi për të krijuar të ardhura, të cilat shpesh i krijojnë nga puna në të zezë, ajo ditore apo sezonale.Ndërmjet shumë prej këtyre familjeve, ka fëmijë që i përkasin minoriteteve, të cilët historikisht kanë qenë viktima të diskriminimit dhe përjashtimit social, të cilat sot vuajnë dyfish. Këtyre familjeve, ju shtohen edhe ato që sot janë pa shtepi e jetojnë në çadra apo hotele për shkak të tërmetit!

Vendosja në karantinë e qyteteve tona, nuk duhet të përbëjë shkak që fëmijët dhe familjet e tyre të vdesin nga uria! Kjo jo vetëm është e patolerueshme, por edhe e dënueshme nga të gjitha ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria. Qeveria shqiptare mban përgjegjësi absolute për këtë!

Ne kemi ndjekur me vemendje të theksuar masat e propozuara nga ana e Qeverisë. Ne jemi seriozisht të shqetësuar se mos-konsultimi me shoqërinë civile i masave të propozuara nga ana e Qeverisë dhe mos hapja e një programi kombëtar të mirë-menduar për ndihmën ndaj të gjithë të varfërve, mund t’i bëjë masat e propozuara të papërshtatshme ose të pavlefshme për të shpëtuar jetët e fëmijëve që sot rrezikohen seriozisht nga uria dhe Covid-19!

Nisur nga ky realitet, CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon angazhimin tuaj sa më serioz dhe më të shpejtë, për të ndërmarrë, ndër të tjera masat e mëposhtme:

  • Krijimin e një regjistri kombëtar të të dhënave për fëmijët dhe familjet që janë seriozisht të rrezikuar nga uria dhe varfëria në Shqipëri;
  • Krijimin e një programi kombëtar të ndihmës ushqimore dhe higjenike, afat-shkurtër dhe afat-mesme, të bazuar te nevojat e fëmijëve dhe familjeve të varfëra të evidentuara nga rregjistri;
  • Mbështetjen direkte të OJF-ve vendase, që të ofrojnë shërbime shoqërore të këshillimit, informimit dhe fuqizimit të individit, për të eleminuar dhe trajtuar rastet e traumës nga kjo sëmundje, apo rastet e dhunës dhe abuzimit të fëmijeve, neglizhencës, dhunës ndaj nënave etj.

Jemi ende në kohë për të reaguar dhe për të zbatuar këto masa apo edhe të tjera, të cilat shpëtojnë jetë, por edhe fuqizojnë individin për të ardhmen. Thirrja jonë për ju sot është:

“Shpëtoni urgjent nga uria fëmijët dhe familjet e varfëra në Shqipëri”

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL