Rinisin kërkimet për Bleona Mata

Rinisin kërkimet për Bleona Mata

Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur në Shqipëri sjell për herë të parë një imazh të progresuar të fëmijëve të humbur

Tiranë, 20 Mars 2019 – Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur në Shqipëri një shërbim i përbashkët i CRCA /ECPAT Shqipëri dhe Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur (ALO 116000), në bashkëpunim me Policinë Britanike, Qendrën e Personave të Humbur në Britani dhe BBC rinisin kërkimet për Bleona Mata, vajza e humbur 9 vite më parë në Fshatin Zapod të Kukësit.  

Për herë të parë në vendin tonë qendra ka arritur të realizojë imazhin e progresuar të vajzës së zhdukur, një skicë e përafërt kjo sesi mund të duket Mata në moshën 16 vjeç.  Identikiti i ri i Matës, është realizuar falë bashkëpunimit me Qendrën Globale të Fëmijëve të Humbur. Bleona Mata u zhduk në mënyrë misterioze pasditen e 22 majit të vitit 2010 (në atë kohë 6 vjeçe), teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit Zapod të Kukësit.

Imazhi progresiv i Bleona Matës është realizuar nga ekspertët më të mirë amerikanë të Qendrës Globale për Fëmijët e Humbur (ICMEC). Bazuar në kërkesën e CRCA dhe ALO si anëtare të Rrjetit Global për Fëmijët e Humbur, ekspertët amerikane arritën të realizojnë një identikit progresiv të një prej rasteve më të bujshme të fëmijëve të humbur në Shqipëri. Bleona Mata, vjen në këtë imazh falë ndihmës së fotove të nënës së saj, dhe vëllait më të vogël, imazhe këto që kanë ndihmuar së tepërmi ekspertët në ndërtimin fizionomisë së ndryshuar së vajzës që sot është në moshën 16 vjeç.

Bleona Mata humbi në vitin 2010 duke kullotur bagëtitë, në prani të 5 vajzave të tjera, të afërme të saj. Kërkimet për Matën u shtrinë në të gjithë vendin si edhe në vendet kufitare, pa asnjë rezultat. Për rreth 10 vite rresht nëna e saj vijon të kërkojë vajzën.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit përgjatë 3 viteve të fundit numri i fëmijëve të humbur në Shqipëri ka arritur në 365 fëmijë prej tyre 353 të kthyer sërish pranë familjeve dhe 12 prej tyre janë ende në kërkim policor. Shqipëria është vendi i parë jo-antar i Bashkimit Europian që ngriti shërbimin kombëtar për fëmijët e humbur që nga viti 2009. CRCA Shqipëri është anëtare me të drejta të plota e Rrjetit Global për Fëmijët e Humbur që në vitin 2010, ndërsa ALO 116 dhe CRCA janë anëtare të Missing Children Europe (MCE)-Rrjeti për Fëmijët e Humbur në Europë. 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL