Rinia shqiptare dialogon për drejtësinë, arsimin dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje!

Rinia shqiptare dialogon për drejtësinë, arsimin dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje!

Forumi i 5-të Kombëtar “Rinia në Shqipëri” adreson problemet më të prekshme të rinisë në Shqipëri

Tiranë, 18 Dhjetor 2019 - Në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë në Shqipëri, Qendra Kombëtare Burimore për të Rinjtë në Shqipëri (YRCA) dhe Rrjeti Kombëtar i të Rinjve në Shqipëri (ANYN) në bashkëpunim dhe me mbështetjen e CRCA/ECPAT Shqipëri, Child and Youth Policy Hub Albania dhe Koalicionit për Arsimin në Shqipëri (ACE), organizuan Forumin Kombëtar “Drejtësia, Arsimi dhe Pjesëmarrja e të Rinjve”.

Forumi është një platformë kombëtare e përvitshme dialogu ndërmjet të rinjve, ligjvënësve dhe politikëbërësve për çështjet dhe problemet më shqetësuese me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri. Për vitin 2019 tre ishin çështjet thelbësore: Drejtësia Rinore; Arsimi i adoleshentëve dhe të rinjve; Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje.

Raporti i CRCA dhe ANYN “Rinia në Shqipëri 2019” identifikoi disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen të rinjtë dhe të rejat në vend dhe faktorët që ndikojnë në gjendjen ku ndodhet rinia. Kriminaliteti rinor në vitit 2019 arriti në vlerën e 38% të totalit të veprave penale që kryhen në Shqipëri. Ndërkohë që Indeksi Global i të Drejtës së Arsimit, që u prezantua sot gjatë tryezës nga koordinatorja kombëtare e Koalicionit të Arsimit, tregoi se Shqipëria është tepër larg realizimit të të drejtës për arsim cilësor për fëmijët  dhe të rinjtë.

Forumi Kombëtar “Rinia në Shqipëri” është platforma më e madhe e debatit dhe diskutimit mbi çështjet e rinisë, që organizohet prej tashmë 5 vjetësh nga CRCA Shqipëri, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë dhe Koalicioni i Arsimit. Vitin e kaluar Forumi ishte i vetmi që lehtësoi një debat ndërmjet studentëve protestues dhe Ministres së Arsimit, para se Qeveria të fillonte t’i merrte seriozisht kërkesat e tyre për gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri. Rekomandimet e dala nga Forumi shërbejnë për përmirësimin e politikave dhe programeve për të rinjtë kudo në Shqipëri.

Pjesë e Forumit është edhe Panairi i Organizatave Rinore në Shqipëri, i cili është një paraqitje e punës së shkëlyer që bëjnë vetë të rinjtë për të rinjtë. Ai shërben gjithashtu për të krijuar ura bashkëpunimi dhe ndarjen e eksperiencave midis organizatave rinore në Shqipëri, të rinjve, donatorëve, institucioneve publike dhe publikut të gjerë.

Në këtë event, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë ANYN, i dhanë edhe Çertifikata Mirënjohjeje aktivistëve, vendimarrësve dhe gazetarëve, të cilët, përgjatë gjithë vitit 2019, kanë qënë zëri dhe imazhi i përpjekjeve dhe punës që ato bëjnë për të rinjtë.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Ervjola Osmanaj, ANYN Shqipëri

E-mail: crca@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL