Qeveria tërheq mbrapsht Projekt-Ligjin e Rinisë!

Qeveria tërheq mbrapsht Projekt-Ligjin e Rinisë!

Bashkëpunimi Kuvend- shoqëri civile tregon se demokracia dhe dialogu funksionojnë në Shqipëri!

Tiranë, 8 Korrik 2019 – Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publikpërgjatë seancës së sotme dëgjimore me shoqërinë civile dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, vendosi kthimin e Projekt-Ligjit për Rininë, për të përmirësuar pikat e tij që jo vetëm shkelnin Kushtetutën e Shqipërisë, por edhe binin në kundërshtim me aktet ndërkombëtare të nënshkruara nga vendi ynë.

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Koalicioni i Arsimit, prej javësh i kishin bërë thirrje të gjithë deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe Qeverisë shqiptare, për ta tërhequr projekt-ligjin si një mundësi për të krijuar hapësirat dhe kohën e duhur që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së bashku me shoqërinë civile ta rishikojnë atë atë.

Sot deputetët e Komisionit Parlamentar të Edukimit, të të gjithë krahëve politikë, së bashku edhe me ekspertët e Ministrisë, vendosën ta tërheqin projekt-ligjin për ta ripunuar. Ashtu siç ishte konstatuar edhe nga ekspertët më të mirë të fushave juridike dhe sociale,  të Rrjetit Kombëtare të të Rinjve – ANYN, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Koalicionit për Arsimin, projekt-ligji shkelte në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë. Në gjendjen aktuale ai nuk i përgjigjet në asnjë nen, nevojave, zhvillimit dhe pritshmërive të të rinjve dhe të rejave në Shqipëri. Në mënyrë të posaçme nenet 4, 9,10,11,13 të projekt-ligjit  shkelnin lirinë e shprehjes dhe organizimit, barazinë përpara ligjit, gëzimin e barabartë të të drejtave, etj.

Sot në mëngjes në mbledhjen e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetët dëgjuan dhe mirëpritën të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e përfaqësuesve të ANYN, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ACE dhe duke vendosur kthimin mbrapsht të projekt-ligjit për shtesa dhe plotësime, duke treguar se dialogu dhe demokracia parlamentare është mëse funksionale.

“Sot fitoi parlamentarizmi dhe rinia shqiptare” – thanë përfaqësuesit e organizatave të CRCA/ECPAT Shqipëri, ANYN dhe ACE : -  “Ne i jemi mirënjohës të gjithë deputetëve të majtë e të djathtë që vunë në qendër të diskutimeve të drejtat dhe interesat e rinisë sonë.”

Prej 10 vitesh CRCA/ECPAT Shqipëri në bashkëpunim me të rinjtë në vend kanë kërkuar që Shqipëria të ketë një Ligj për Rininë. Ndërsa prej mëse dy vitesh CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ANYN kanë punuar intensivisht për t’i dhënë të rinjve në Shqipëri një projekt-ligj sa më cilësor, me standarte europiane, gjithëpërfshirës dhe shërbyes për të gjithë të rinjtë e të rejat.

Për më shumë info, kontakto:

CRCA/ECPAT Albania, E-mail: info@crca.al

ANYN, E-mail: info@anyn.al

ACE Albania, E-mail: info@acce.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL