Projekt-Ligji i Rinisë i propozuar nga Qeveria shkel të drejtat e të rinjve në Shqipëri!

Projekt-Ligji i Rinisë i propozuar nga Qeveria shkel të drejtat e të rinjve në Shqipëri!

CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ANYN: Qeveria të tërheqë urgjent nga shqyrtimi Parlamentar këtë projekt-Ligj të dobët e të varfër të rinisë, i cili nuk përputhet as me aktet kryesore të Këshillit të Europës dhe BE-së!

Tiranë, 26 Maj 2019 – CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), nëpërmjet kësaj thirrje të hapur publike, i kërkojnë Këshillit të Ministrave, të tërheqë menjëherë nga shqyrtimi parlamentar Projekt-Ligjin e Rinisë të aprovuar prej tyre disa ditë më parë.

Këshilli i Ministrave në datë 16 Maj 2019, aprovoi Projekt-Ligjin e Rinisë, i cili pritet të kalojë për diskutim dhe miratim në komisionet parlamentare të Kuvendit. Ndonëse në Janar 2019 CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ANYN së bashku, paraqitën para deputetëve një version tërësisht tjetër të Projekt-Ligjit për Rininë, të përgatitur nga shoqëria civile e të rinjve, Kuvendit nuk e mori parasysh këtë kërkesë.

Projekt-Ligji i Rinisë, version i propozuar nga Qeveria, lë tërësisht në harresë mbi 681,548 të rinj e të reja të moshës 15-29 vjeç, ose rreth 26% të popullsisë së Shqipërisë, për shkak sepse projekti nuk planifikon të kryejë asnjë investim për forcimin e të rinjve dhe krijimin e institucioneve dhe mekanizmave në mbështetje të tyre. Projekt-ligji nuk adreson as çështjen e largimit të të rinjve e të rejave nga Shqipëria, ku sipas të dhënave më të fundit të Gallup, rreth 80% e të rinjve duan të braktisin vendin për të ndërtuar një jetë më të mirë në një vend tjetër.

Nga studimi që ekspertët më të mirë të fushës të CRCA/ECPAT Shqipëri i kanë bërë përmbajtjes së projekt-ligjit, vihen re rreziqet e mëposhtme, të cilat për shkak të mungesës së mekanizmave të kontrollit, mund të sjellin këto pasoja:

  • Nxis edhe më tej korrupsionin dhe mungesën e llogaridhënies të zyrtarëve publike në nivel vendor dhe qendror.
  • Eshtë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, aktet kryesore të OKB-së dhe të Këshillit të Europëspër të drejtat e njeriut. Ai vendos në mënyrë të pashpjegueshme kompetenca, të cilat duhet t’i kenë në kontroll vetë të rinjtë, në duart e Kryetarëve të Bashkive apo të Ministrit përgjegjës për Rininë. Kjo në bindjen tonë është t’i vendosësh të rinjtë qëllimisht nën diktatin politik të një apo disa forcave të caktuara politike.
  • Krijon mundësi serioze që politikanët të vendosin nën kontroll organizatat rinore të shoqërisë civile në nivel lokal dhe kombëtar, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për shkeljen e parimeve bazë të demokracisë dhe funksionimit të organizatave rinore të shoqërisë civile në Shqipëri.
  • Mohojnë të drejtën për të përfituar shërbime rinore të gjithë të rinjve në vend.Kjo do të thotë se 139,043 studentë dhe 116,646 nxënës të arsimit të mesëm në Shqipëri, nuk do të kenë mundësi të marrin asnjë shërbim falas, pavarësisht se, ashtu siç e tregoi edhe Raporti i UPR për Shqipërinë përpara OKB-së, të rinjtë janë ndër grupet më të varfëra dhe më të përjashtuara të shoqërisë.
  • I heqin të drejtën të gjithë të rinjve që të pajisjen me Kartën Rinore, aq shumë të kërkuar në të gjitha protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri, duke iu mohuar aksesin në të gjitha shërbimet që atyre do t’ju takonte në bazë të kartës. Karta Rinore, i’u ishte mohuar deri më tani të rinjve, për shkak të vakumit ligjor që ekzistonte. Ndërsa të rinjtë e kanë patur Kartën Rinore një ndër kërkesat kryesore të tyre, ajo sërish nuk është përfshirë në asnjë nen të ligjit të propozuar nga ana e Qeverisë.
  • Shkelin të drejtat e të rinjve duke iu mohuar atyre përfaqësimin në të gjitha organet vendimarrëse!Pas protestave të studentëve, duket se Qeveria po tregon me veprime e saj se nuk mbështet asnjë zë kritik ndaj politikave shthetërore për të rinjtë. Çdo VKM dhe nismë për të rinjtë, e miratuar në Këshillin e Ministrave, pas protestave të studentëve në Shqipëri, ka kaluar pa u diskutuar apo konsultuar me organizatat apo grupimet Rinore;
  • Përmban dobësi serioze teknike, gjuhësore dhe strukturore, të cilat mund të përbëjnë edhe shkak për mos-zbatimin e tij.
  • Nuk krijon asnjë strukturë dhe mekanizëm institucional, lokal apo kombëtar që do të lehtësonte punën për rininë dhe llogari-dhënien e zyrtarëve publikë përkundrejt të rinjve. Ai gjithashtu në asnjë nen të tij, nuk garanton të drejtën për punësim me dinjitet të të rinjve. Sipas MAPS Report rreth 30% e të rinjve në vendin tonë, nuk janë as të punësuar, as të arsimuar dhe as të trajnuar.
  • Shfaq mangësi themelore përsa i përket edhe përputhjes së tij me aktet e Këshillit të Europës për të Rinjtë dhe me Aquis të Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria prej kohësh aspiron të hapë bisedimet e antarësisë me BE-në.  

Nisur nga sa më sipër, ne kemi një pyetje të hapur për Qeverinë dhe Kuvendin e Shqipërisë: Kur ky projekt-ligj nuk shton dhe nuk garanton asnjë të drejtë tjetër shtesë, që sot të rinjtë i gëzojnë për shkak të ligjeve të tjera, atëherë përse duhet të aprovohet ky ligj?!

CRCA/ECPAT Shqipëri i kërkon publikisht Këshillit të Ministrave, që të tërheqë menjëherë nga shqyrtimi parlamentar versionin e Qeverisë të projekt-ligjit për Rininë, si një nismë ligjore që nëse miratohet do të shkel haptazi të drejtat e të rinjve në Shqipëri.

CRCA/ECPAT Shqipëri, do të kontaktojë në mënyrë urgjente delegacionin e BE-së, Ambasadën Amerikane në Shqipëri e çdo përfaqësi tjetër diplomatike në vend, për t’i shprehur shqetësimin për këtë tendencë të paprecedentë për të shkelur kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Po ashtu ne i bëjmë thirrje të gjithë deputetëve: Ktheni mbrapsht këtë Projekt-Ligj.

PËR TË RINJTË! ME TË RINJTË! NGA TË RINJTË!

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL