PINK dhe CRCA, dorëzojnë në Kuvend propozimet e tyre për Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi

PINK dhe CRCA, dorëzojnë në Kuvend propozimet e tyre për Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Tiranë, 15 Maj 2020 – Ambasada PINK dhe CRCA/ECPAT Shqipëri dorëzuan sot pranë Kuvendit të Shqipërisë, propozimet e tyre për shtesa dhe ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.Ky ligj, është i një rëndësie të veçantë për të dyja organizatat, pasi kanë qenë propozuese dhe mbështetëse të miratimit të tij në vitin 2010.

Ekspertët e CRCA dhe të Ambasadës PINK, në propozimet e tyre për ndryshime në këtë projekt-ligj, sjellin në vëmendje të Kuvendit, adresimin që i duhet bërë disa prej problemeve kryesore me të cilat përballen fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri, si dhe personat LGBTI, si gjuha e urrejtjes, ngacmimi seksual, veçimi (apo segregimi).

Një çështje e rëndësishme në të cilën të dyja organizatat kanë vënë theksin e përmirësimit legjislativ është krijimi i mekanizmave të raportimit të ankesave për diskriminim, nga ana e mësuesve dhe nxënësve, në çdo institucion arsimor, të cilat sipas propozimit, duhet të jenë “të sigurta, të përgatitura, që funksionojnë mbi rregulla etike të qarta dhe që mbrojnë privatësinë e personit që ankohet,” deri në zgjidhjen përfundimare të ankesës. Ndryshime janë kërkuar edhe mbi masat që sistemi arsimor duhet të ndërmarrë për informimin dhe trajnimin e të gjithë trupës mësimore dhe pedagogjike në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Një ndryshim thelbësor që është propozuar nga të dyja organizatat ka të bëjë me sanksionet dhe dënimet në gjobë që jepen për individët apo kompanitë të cilat diskriminojnë. Nëse në ligjin e vitit 2010, gjoba që vendosej ndaj një subjekti i kalonte e gjitha shtetit, Ambasada PINK dhe CRCA Shqipëri kanë rekomanduar, që, bazuar edhe tek eksperienca e vendeve të BE-së, gjysma e gjobës t’i kalojë viktimës, për shkak të dëmit që i është shkaktuaar, ndërsa gjysma tjetër Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për të mbuluar kostot administrative.

Ligji "Për Mbrojtjen nga Diskriminimi",ka si qëllim të sigurojë të drejtën e secilit mbi barazi dhe mbrojtje të barabartë nga ligji, barazi të shanseve dhe mundësive për të ushtruar të drejtat, për të gëzuar liritë dhe për të marrë pjesë në jetën publike si dhe mbrojtje efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin, duke përfshirë këtu edhe gjuhën e urrejtjes.

 

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Ambasada PINK Shqipëri

President: Altin Hazizaj

Tel: + 355 67 20 75 330

pink@pinkembassy.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL