Parlamenti Rinor Tiranë zhvillon zgjedhjet e para të tij

Parlamenti Rinor Tiranë zhvillon zgjedhjet e para të tij

Mbi 18 mijë nxënës të gjimnazeve të kryeqytetit përfaqësohen tashmë në komisonet e tyre parlamentare

Tiranë, 30 Prill 2019 –Parlamenti Rinor Tiranë, zhvilloi zgjedhjet e tij të para përmes një procesi tërësisht të hapur dhe demokratik. Bazuar në parimin e votimit një anëtar një votë, asamableja e Parlamentit Rinor Tiranë e përbërë nga 61 nxënës, prej tyre 19 djem dhe 42 vajza, përfaqësues të 12 gjimnazeve publike dhe private në Tiranë zgjodhën Kryetaren, 2 Nën/kryetaret dhe Sekretaren e PRT. Kryetare e Parlamentit Rinor Tiranë u zgjodh nxënësja Kejsi Shehu, përballë 6 kandidatëve të tjerë.

Parlamenti Rinor Tiranë është strukturuar në bazë të modelit të Parlamentit shqiptar dhe ka në përbërjen e tij dhe 8 komisione si vijim: Komisionin e Arsimit; Komisionin e Politikave Rinore dhe të Rinjve; Komisionin e Medias; Komisionin e të Drejtave të Fëmijëve; Komisionin e çështjeve Kulturore, Sociale dhe Artistike; Komisionin e Shëndetit; Komisionin për Mbrojtjen nga Dhuna dhe Diskriminimi si dhe Komisionin e Inovacionit dhe Sigurisë në Internet. PRT, zgjodhi edhe anëtarët e të gjitha komisioneve si dhe kryetarët e tyre. Komisionet përbëhen nga 5 anëtarë.

Parlamenti Rinor Tiranë është rrjeti i nxënësve përfaqësues të shkollave të mesme të kryeqytetit. Të rinjtë dhe të rejat, të moshës 14-17 vjeç, të mbledhur në këtë strukturë që drejtohet nga ata vetë, besojnë se forcimi i kapaciteteve të të rinjve, pjesëmarrja dhe përfaqësimi i tyre në proceset e vendimmarrjes dhe politikë-bërjes, janë ndër kriteret kryesore dhe më të domosdoshëm për një demokraci më të fortë. Të rinjtë dhe të rejat e shkollave të mesme kanë arritur të evidentojnë problemet kryesore që ata ndeshin dhe që pengojnë avancimin e të drejtave të tyre në Tiranë.

Parlamenti Rinor Tiranë synon të krijojë një klimë mbështetëse për nxënësit në çdo shkollë të mesme publike dhe profesionale në kryeqytet, duke patur struktura funksionale përmes të cilave të ndihen të fuqizuar dhe të aftë për të ndarë dhe zgjidhur shqetësimet e tyre.

Parlamenti gjithashtu punon për të fuqizuar jo vetëm anëtarësinë e tij, por edhe të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në Tiranë në pjesëmarrjen e tyre në proceset e vendimmarrjes dhe politikëbërjes në arsim si nënivel shkolle, ashtu edhe në institucione të ndryshme qeverisëse si Bashki, Qeveri e Kuvend.

Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni në adresën e email: info@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL