Krimet seksuale online, më së fundi ndëshkohen nga Kodi Penal

Krimet seksuale online, më së fundi ndëshkohen nga Kodi Penal

CRCA/ECPAT Shqipëri prezanton në kuvendin e Shqipërisë propozimet për ndryshime në Kodin Penal “Për Mbrojtjen nga Krimet Seksuale dhe krimet kompjuterike”

Tiranë, 14 Maj 2019 – CRCA/ECPAT Shqipëri, bën publike propozimet që i ofron Kuvendit të Shqipërisë për ndryshime në Kodin Penal për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna dhe shfrytëzimi. Në një seancë të hapur dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë, CRCA/ECPAT Shqipëri kërkoi përmirësime dhe shtesa të Kodit Penal për ngacmimet, pedofilinë, pornografinë apo edhe shfrytëzimin e fëmijëve dhe të rinjve në internet. Propozimet vijnë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe si pasojë e rekomandimeve dhe kërkesave të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës mbi luftën kundër abuzimi seksual dhe shfrytëzimit seksual dhe pornografisë së fëmijëve.

Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj theksoi se “Raporti “Krime pa Ndëshkim” që është ndarë me ju në Shkurt të këtij viti tregoi edhe një herë se krime monstruoze janë duke u kryer ndaj fëmijëve dhe të rinjve në internet dhe për shkak të mungesës së rregullimeve ligjore në Kodin Penal këto krime po mbeten të pandëshkuara. Jo më larg sesa një javë më parë, Policia e Shtetit na njoftoi për një rast bulizmi online që kishte shkaktuar tentative për vetëvrasje të një të mituri. Tre ditë më parë, rrjetet sociale u bombarduan me profilin e një grabitqari seksual që shperndante një marrëdhënie të dhunshme seksuale ndërmjet një të rrituri dhe një të miture. Askujt nuk i shkoi ne mendje se po shpërndante pornografi me të mitur apo më keq akoma, që vajza në video mund të ishte fëmija e kujtdo nga ne këtu! Shtesat dhe ndryshimet e propozuara që sot vijnë përpara jush, janë tepër të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve tanë gjatë navigimit të tyre në internet. Mos-miratimi i tyre do të thotë që ne të pranojmë që krimet kundër fëmijëve do të vazhdojnë të mos ndëshkohen dhe që grabitqarët seksualë do të vazhdojnë të prodhojnë viktima!

Pjesa më e madhe e rreziqeve që i’u kanosen fëmijëve në internet nuk janë të parashikuara në Kodin Penal. CRCA/ECPAT Shqipëri që në vitin 2016 ka propozuar 12 shtesa në Kodin Penal për ndryshimin dhe përmirësimin e tij në këtë kuadër. Këto mungesa ligjore i krijojnë pedofilëve hapësira ligjore për të abuzuar dhe shfrytëzuar fëmijët seksualisht në internet.

Propozimet që sjell HRH, kanë të bëjnë me ndryshime thelbësore gjithsejt në 7 Nene specifike të Kodit Penal që kanë të bëjnë me fëmijët dhe veprat penale ndaj tyre, përgjegjësinë penale të fëmijës dhe dënimin e tij si autor i veprës penale. Për nenin 100 të Kodit Penal mbi Marrëdhënit seksuale me të mitur propozohet të shtohet ‘’Shtytja e fëmijës për të kryer marrëdhënie seksuale (grooming) dhe komunikimi me fëmijën për qëllime seksuale (sexting)’’. Ndryshime thelbësore janë propozuar edhe për Nenin 124/b, ku si fillim kërkohet ndarja e dy veprave penale të ndryshme në substancë, asaj të “keqtrajtimit të fëmijës’’ dhe të ‘’shfrytëzimit të fëmijës’’. Gjithashtu përmirësime dhe ndryshime të tjera u kërkuan edhe për 12 nene që përfshijnë fushën e mbrojtjes nga krimet seksuale dhe krimet kompjuterike. 

Në këtë seancë u bë publik për herë të parë edhe Raporti ”Fëmijët për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri”, një kërkim me pjesëmarrje ky, i udhëhequr nga fëmijët dhe adoleshentët në 5 qytete të Shqipërisë, me përkrahjen e CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Save the Children. 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL