Këshilli Europës: 70% e fëmijëve në Shqipëri, viktima të dhunës fizike dhe psikologjike

Këshilli Europës: 70% e fëmijëve në Shqipëri, viktima të dhunës fizike dhe psikologjike

Bëhet publik raporti i Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, Dunja Mijatovic, ka sjellë në shifra në një raport situatën e të drejtave të njeriut në vendin tonë. Pas një vizite disa ditore në Shqipëri përgjatë muajit maj 2018 dhe pas takimeve e diskutimeve me autoritetet shtetërore Shqiptare, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare, Komisioneri fokusoi raportin e tij në disa çështje.

Në fushën e të Drejtave të Fëmijëve në raport edhe pse mbështetet forcimi i kuadrit ligjor për të Drejtat e tyre, sërish është shprehur shqetësimi për nivelet e larta të raportuara të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve. Në raport theksohet fakti se rreth 70% e fëmijëve nga mosha 8-11 vjeç kanë raportuar se kanë qënë subjekt i dhunës fizike, ndërsa 58% e fëmijëve të anketuar janë pjesë ose dëshmitarë të dhunës në familje dhe 1 në 5 fëmijë janë subject i ngacmimit në shkolla.

Përsa i përket personave më aftësi të kufizuar, në raport vjen fakti se numri i fëmijëve me aftësi të kufizuar të integruar në arsim është ende shumë i ulët.

Një tjetër fakt i rëndësishëm që listohet në problematikat e të drejtave të njeriut është edhe drejtësia për të miturit me fokusin te fëmijët e rrugës. Shqipëria deri në vitin 2016 konsiderohej si vendi me shkallën më të lartë të fëmijëve në paraburgim 114 persona, shifër kjo që ka ardhur në ulje në këto dy vitet e fundit si shkak i përmirësimit të kornizës legjislative.

Raporti pasi analizon në mënyrë të detajuar situatat e fëmijëve rom, egjiptianë apo edhe të atyre që jetojnë në qendrat rezidanciale për fëmijë, nxjerr rekomandimet e tij për Qeverinë Shqiptare dhe inkurajon fort autoritetet për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me organizatat e shoqërisë civile në ndihmën e tyre nga ana ligjore dhe për të shfrytëzuar përvojën e tyre në këto fusha.

Të plotë raportin e Komisionerit për të Drejtat e Njëriut të Këshillit të Europës mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm

https://rm.coe.int/report-on-the-visit-to-albania-from-21-to-25-may-2018-by-dunja-mijatov/16808d2e22

Donors and Partners

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL