Gjashtëfishohen përndjekja, kërcënimet dhe shantazhi ndaj fëmijëve dhe të rinjve në internet!

Gjashtëfishohen përndjekja, kërcënimet dhe shantazhi ndaj fëmijëve dhe të rinjve në internet!

CRCA Shqipëri: Raporti i 2-të Kombëtar për Sigurinë në Internet, një kambanë alarmi për Kuvendin dhe institucionet ligj-zbatuese

Tiranë, 7 Shkurt 2020 – Raporti i 2-të Kombëtar për Sigurinë në Internet, i cili u bë publik nga ekspertët e CRCA/ECPAT Shqipëri, gjatë Forumit të 5-të Kombëtar për Sigurinë në Internet të Fëmijëve, solli fakte shqetësuese mbi incidentet në internet të raportuara nga fëmijët dhe të rinjtë gjatë vitit 2019. Sipas gjetjeve të Raportit, gjatë vitit 2019 u gjashtëfishuan rastet e kërcënimeve, përndjekjes dhe shantazhit online ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri.

Të dhënat kryesore të Raportit “Urrejtja ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Internet”,tregojnë se ndërsa gjatë vitit 2018, kërcënimet, shantazhi dhe përndjekja zunë vetëm 2% të raportimeve të fëmijëve dhe të rinjve, në vitin 2019, ky fenomen u rrit në thuajse 12%. Kjo situatë u raportua jo vetëm nga fëmijët e moshës 15-17 vjeç, që përbëjnë grup-moshën kryesore të të ankimuarve, por edhe moshat e tjera.

Drejtori Ekzekutiv i CRCA Shqipëri, Altin Hazizaj, nënvizoi faktin se: “Mungesa e dënimeve apo zvarritja e gjykimeve të rasteve të dhunës dhe ngacmimit seksual online, tregon se institucionet ligj-zbatuese nuk kanë teknologjinë dhe personelin e mjaftueshëm, për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë në mbarë vendin. Mangësitë në legjislacionin penal shkaktojnë çoroditje tek institucionet ligj-zbatuese, të cilat përballen me shkeljen e të drejtave të fëmijëve.”

Ashtu siç titullohet edhe Raporti, gjuha e urrejtjes përbën incidentin më të raportuar nga fëmijët dhe të rinjtë, si gjatë vitit 2018 ashtu edhe në vitin 2019. Një gjetje që bën përshtypje gjatë vitit 2019, në lidhje me gjuhen e urrejtjes, është se këtë vit të dyja gjinitë kanë patur incidente në internet thuajse në një masë të barabartë, krahasuar me vitin 2018, ku ankesat kryesore erdhën përgjithësisht nga vajzat.

Raporti, tregon se çdo tre ditë një fëmijë raporton të paktën një incident për internet të pasigurt në Shqipëri, duke ju referuar numrit të  rasteve të raportuara pranë Platformës www.ISIGURT.al dhe Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë (ALO 116111), të cilat për vitin 2019 kapën shifrën e 104 raportimeve nga fëmijët dhe të rinjtë.

Rrjetet sociale janë edhe mjediset kryesore, ku fëmijët dhe të rinjtë  raportojnë numrin më të madh të incidenteve online. Instagram është platforma në të cilën fëmijët dhe të rinjtë kanë ndeshur më shumë dhunë, bulizëm, abuzim apo vjedhje të profilit, pornografi të fëmijëve, nuditet apo gjuhë urrejtje, me rreth 68% të ankesave, ndjekur nga Youtube me 17% dhe Facebook me 4%.

Një gjetje tjetër shqetësuese, që përcjell raporti, është mungesa e kodit të etikës dhe shkelja e të drejtave të fëmijëve nga ana e platformave të medias dhe portaleve online, të cilat shpesh postojnë materiale të papërshtatshme dhe gjerësisht të aksesueshme nga fëmijët dhe të rinjtë.

Raporti i 2-të Kombëtar, “Urrejtja ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Internet”,i përgatitur nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, ngre shqetësime serioze në  lidhje me apatinë institucionale dhe ligjore në ndjekjen e rasteve të grabitqarëve seksualë të fëmijëve në internet.

CRCA/ECPAT Shqipëri, prej tashmë 15-vjetësh është angazhuar në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve gjatë lundrimit të tyre në internet. Gjatë dy viteve të fundit u realizuan prej saj edhe marrëveshjet me dy platformat globale Facebook dhe Google, duke bërë të mundur mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna, bulizmi dhe shfrytëzimi në internet.

Raporti u bë publik në hapje të fushatës dhe Ditës Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt, një ngjarje globale, ku marrin pjesë mbi 150 shtete në botë. Në këtë kuadër thirrja jonë kryesore për fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe këdo është: RAPORTO incidentet në internet në Platformën Kombëtare www.ISIGURT.alose pranë Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë ‘ALO 116-111’.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri

CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: isigurt@isigurt.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL