CRCA/ECPAT Shqipëri: Qeveria dhe institucionet e saj të kthejnë seriozisht vëmendjen te vajzat!

CRCA/ECPAT Shqipëri: Qeveria dhe institucionet e saj të kthejnë seriozisht vëmendjen te vajzat!

Në Ditën Ndërkombëtare të vajzave, Shqipëria është ndër vendet më problematike në Europë për mbrojtjen dhe respektimin e tyre!

Tiranë, 11 Tetor 2019 – Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, CRCA/ECPAT Shqipëri i drejton këtë thirrje publike Qeverisë Shqiptare dhe institucioneve të saj, që të kthejnë vëmendjen te fëmijët vajza.

Në Shqipëri jetojnë mbi 340,000 mijë fëmijë-vajza deri në moshën 19 vjeç, të cilat kërkojnë dhe presin që Qeveria e tyre të ndryshojë qëndrimin dhe qasjen që ajo ka përkundrejt tyre. Ato kërkojnë që institucionet ligjvënëse dhe ligjzbatuese, politika dhe politikanët, shoqëria shqiptare dhe organizatat joqeveritare të marrin përgjegjësi të reja për kujdesin , mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre.

  • Mbi 7 vajza të moshës 15-25 vjeç, u vranë tragjikisht në Shqipëri përgjatë viteve 2018-2019.Sipas raportit global të Zyrës për Krimet dhe Drogën (UNODC), Shqipëria u rendit ndër vendet me normën më të lartë të vrasjeve te gratë dhe vajzat, krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa dhunën,në një nga 5 llojet e saj, e kanë provuar dhe përjetuar rreth 41.9% e vajzave dhe grave në Shqipëri, që në moshën 15 vjeç.
  • Vajzat vazhdojnë të jenë viktimat kryesore të dhunës seksuale te fëmijët! Të dhënat tregojnë se thuajse 90 përqind e krimeve seksuale kundër fëmijëve kryhen ndaj fëmijëve-vajza, ndërkohë që Komisioni i Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë këtë vit refuzoi të miratonte shtesa të reja në Kodin Penal, të cilat vendosnin në qendër mbrojtjen e fëmijëve vajza nga krimet seksuale në internet;
  • Deri në Maj 2019, 12 fëmijë rezultojnë të humbur dhe të pagjetur, shumica e tyre vajza.Bleona Mata, vajza, rasti i së cilës është kaq i njohur për publikun, pavarësisht se me ndihmën e CRCA dhe GMCN ka një identikit të ri, vazhdon të mbetet ende e pagjetur. Vetëmnë 3 vitet e fundit, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, 365 fëmijë kanë humbur, prej të cilëve 258 vajza.
  • Mbi 5000 fëmijë nga Shqipëria janë viktima të trafikimit ndërkombëtar dhe fati i tyre ende nuk dihet. Autoritetet italiane dhe britanike çdo vit raportojnë për qindra fëmijë me origjinë nga Shqipëria të trafikuar në territorin e tyre që shfrytëzohen për qëllime ekonomike dhe seksuale! Pavarësisht masave të marra, Shqipëria, është ende larg identifikimit dhe dënimit të shfrytëzuesve të fëmijëve-vajza;
  • Dhuna seksuale dhe pasiguria në Internet ndaj fëmijëve -vajza janë kthyer në makthin e adoleshenteve-vajza anembanë Shqipërisë.Nga njëra anë Kuvendi refuzon të mbrojë fëmijët-vajza nga këto krime, dhe nga ana tjetër autoritetet ligjzbatuese e kanë të pamundur që të marrin në mbrojtje fëmijët-vajza viktima të krimeve në internet. Raporti i CRCA “Krime pa Ndëshkim” i vitit 2018, tregoi se gjuha e urrejtjes ndaj vajzave dhe dhuna seksuale në internet u raportua nga thuajse 70% e fëmijëve-vajza.
  • Mbi 50,000 fëmijë gjenden në situata të shfrytëzimit ekonomik dhe të skllavërisë në punë, ku thuajse gjysma e tyre janë vajza. Shqipëria konsiderohet vendi Europian me numrin më të lartë të fëmijëve që shfrytëzohen për punë dhe që janë në marrëdhënie të skllavërisë.
  • Aborti selektiv vazhdon të ndikojë dhe të prekë në një masë të gjerë vajzat.Ndonëse gjatë vitit të fundit ky fenomen shënoi një ulje, përsëri vetëm në grup-moshën 0-4 vjeç ka 4000 djem më shumë se vajza. Kur e krahasojmë me të gjithë grup-moshën 0-19 vjeç shohim se diferenca ndërmjet të dyja sekseve shkon në shifrat shokuese të thuajse 15,000 djem më shumë se vajza!                                                                                                     

Të drejtat e vajzave, janë të drejtat e njeriut!

Nën moton “Forca e Vajzave: Pa kufij dhe të pandalshme”(GirlForce: Unscripted and Unstoppable) në Shqipëri, si në të gjitha vendet e botës, po organizohen fushata të promovimit të të drejtave të vajzave dhe barazisë gjinore.

CRCA së bashku me Nën-komisionin Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Aleancën e Grave Deputete, do të shpallin hapjen e Samititi të 2-të të Vajzave në Shqipëri, i cili do të organizohet në dt. 18 Nëntor në Shqipëri.Një vit më parë, ne organizuan për herë të parënë historinë e vendit tone, Samitin e 1-rë të Vajzave, që vendosi në qendër të diskutimeve arsimimin, shërbimet, pjesëmarrjen, dhunën dhe pabarazitë ndaj vajzave në Shqipëri. Në datë 23 Tetor ne do të hapim zyrtarisht Qendrën Kombëtare të Shërbimeve të Integruara për Mbrojtjen e Fëmijëve  dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale.

Megjithatë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të shoqërisë civile, fëmijët vajza duan të kenë nga shteti shqiptar dhe zyrtarët e saj kujdesjen për to! Në këtë kuadër, ne duam të kërkojmë publikisht nga Qeveria Shqiptare, që vitin e ardhshëm ta shpallë vitin e fëmijëve-vajza dhe ta përdorë atë për të zgjidhur një herë e përgjithmonë problemet e identifikuara më sipër!

Asnjë shtet nuk mund të avancojë nëse nuk kujdeset për fëmijët e tij, ndaj sot ne i bëjmë thirrje Kuvendit, Qeverisë, Bashkive dhe familjeve në Shqipëri:

Ktheni seriozisht vëmendjen te fëmijët vajza!

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL