CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon hetime për dy punonjës të Bashkisë Tiranë për ngacmime seksuale ndaj fëmijëve

CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon hetime për dy punonjës të Bashkisë Tiranë për ngacmime seksuale ndaj fëmijëve

Tiranë, 8 Qershor 2019 – CRCA/ECPAT Shqipëri, i kërkoi sot zyrtarisht Policisë së Shtetit, nisjen e hetimeve të menjëhershme për dy punonjës të Bashkisë së Tiranës, të cilët  dyshohet se kanë lejuar dhe ngacmuar seksualisht disa adoleshentë në gjimnazet e kryeqytetit.

Përgjatë muajve Prill dhe Maj 2019, pranë CRCA/ECPAT Shqipëri, adoleshentët kanë ndarë shqetësimet e tyre se gjatë aktiviteteve të organizuara nga punonjës rinorë të Bashkisë Tiranë, ata kanë përjetuar ngacmime seksuale të vazhdueshme. Nisur nga këto të dhëna, CRCA / ECPAT Shqipëri, bazuar edhe në detyrimin për të raportuar çdo dyshim për abuzim të fëmijëve, iu drejtua Policisë së Shtetit me një letër për të njoftuar shqetësimet e adoleshentëve dhe të zyrës, duke kërkuar edhe fillimin e hetimeve të menjëhershme.

Ngacmimet dhe dhuna seksuale janë një fenomen që po fillon të raportohet gjithnjë e më shpesh nga fëmijët dhe adoleshentët. Jo më larg se dy ditë më parë, në media u denoncuan dy raste të ngacmimeve seksuale të dy personave të rritur me të mitur në Tiranë dhe Fier.

Të dhënat mbi dhunën dhe ngacmimeve seksuale në Shqipëri, paraqesin një tabllo shqetësuese përsa i përket sigurisë së fëmijëve dhe adoleshentëve. Sipas Studimit Ballkanik për Dhunën Ndaj Fëmijëve (BECAN), thuajse 12% e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të ngacmimeve dhe abuzimit seksual. Ndërsa sipas Qendrës për Internet të Sigurt në Shqipëri dhe Platforma www.ISIGURT.al, rreth 44% e fëmijëve kanë qasje në pornografi me të rritur çdo ditë në internet.

Informacioni në lidhje me ngjarjen është ndarë ndër të tjera edhe me Agjensinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (AMSHDF) dhe Zyrën e Komisionerit për të Drejtat e Fëmijës pranë Avokatit të Popullit.

CRCA/ECPAT Shqipëri, nisur edhe nga kjo ngjarje, i ka bërë thirrje publike të gjitha institucioneve përgjegjëse që jo vetëm të kryejnë hetime të herëpashershme për të eleminuar situata të tilla, por atoduhet të bashkëpunojnë më fëmijët dhe të rinjtë për të krijuar politika për mbrojtjen e fëmijëve nga ngacmimet e dhuna seksuale nga stafet apo vullnetarët e tyre. 

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL