CRCA Shqipëri i kërkon qeverisë të përkrah ligjin për mbështetjen financiare të nismave të shoqërisë civile

CRCA Shqipëri i kërkon qeverisë të përkrah ligjin për mbështetjen financiare të nismave të shoqërisë civile

Tiranë, 16 Dhjetor 2013 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) i kërkoi sot publikisht Qeverisë së Shqipërisë, në kuadër të platformës së tyre politike për përkrahjen dhe fuqizimin e shoqërisë civile, të mbështesin miratimin e projekt-ligjit “Për financimin dhe mbështetjen e nismave dhe projekteve të organizatave të shoqërisë civile”. Kërkesa e CRCA Shqipëri iu parashtrua zv. Kryeministrit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi, në ditën e dytë të Konferencës Kombëtare të organizuar nga Partnerët Shqipëri  nën titullin: “Partnerë Social-Koha për Veprim”.

CRCA Shqipëri prej kohësh ka shprehur shqetësimin e saj publik se mungesa e mekanizmave ligjorë për të garantuar mbështetjen financiare të projekteve dhe nismave të organizatave të shoqërisë civile (OSHC), po krijonte premisa për kufizimin serioz të ushtrimit të të drejtës së organizimit dhe pjesmarrjes qytetare në vendim-marrje. Organizatat e shoqërisë civile sot mbulojnë mëse 80 përqind e shërbimeve falas që ofrohen për njerëzit në nevojë, ndaj ekziston rreziku që pjesa më e madhe e tyre të mbyllen dhe përfituesit të mbeten pa shërbime të domosdoshme jetike.

Në ndërmarrjen e kësaj nisme, CRCA Shqipëri ka propozuar që të ndiqet modeli Kroat, si një ndër vendet ballkanike që ka krijuar brenda një kohe të shkurtër një ndër mjediset më favorizuese për OSHC-të në drejtim të instrumentave, financimit dhe institucioneve mbështetëse qeveritare. Në këtë aspekt eksperienca kroate mund t’i shërbejë Shqipërisë pozitivisht, si një vend që nga viti 2001 e në vijim nuk ka patur zhvillime pozitive në drejtim të mbështetjes së nismave të OSHC-ve, përkundrazi sipas një serë vlerësimesh është  bërë shumë pak mbështetës.

Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA Shqipëri, tha: “Ne përshëndesim frymën pozitive që Qeveria aktuale ka krijuar për bashkëpunimin me OSHC-të. Megjithatë ne mendojmë që ka ardhur koha që këtë bashkëpunim ta ngremë në një nivel të ri partneriteti, ku Qeveria në nivel qendror dhe lokal, mbështesin nismat dhe projektet e shoqërisë civile dhe qytetarëve shqiptarë, kudo ku ata ndodhen.”

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL