Banka botërore konsultohet me fëmijët për rishikimin e politikave mbrojtëse

Banka botërore konsultohet me fëmijët për rishikimin e politikave mbrojtëse

2 Prill 2015, Tiranë – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve - CRCA, mbështetur nga Qendra e Informimit të Bankës Botërore - BIC zhvilluan sot një takim konsultativ me fëmijë dhe të rinj nga shkollat e kryeqytetit, në kuadër të rishikimit të politikave mbrojtëse të Bankës Botërore. Konsultimi me të rinjtë shqipëtarë të moshave 12-18 vjeç kishte synimin kryesor të merrte mendimet dhe rekomandimet e tyre në lidhje me përmirësimin e politikave mbrojtëse të BB dhe impaktin që projektet e Bankës kanë në shoqëri.

Konsultimi me fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë kishte në fokus diskutimin dhe kuptimin e  rregullave që udhëheqin dhe bëjnë të zbatueshme projektet e Bankës Botërore, si dhe, si politikat e saj mund të ndihmojnë për të mbrojtur interesat e fëmijëve në projektet që ajo zbaton në të gjithë botën. Kjo është hera e parë që fëmijët dhe të rinjtë konsultohen, 25 vjet pas drafitit të parë të politikave mbrojtëse, dhe Shqipëria është vendi i nëntë pas Perusë, Jemenit, Indisë, Ugandës etj.

Gjatë konsultimit fëmijët dhe të rinjtë nga mosha 12 deri në 18 vjeç, patën mundësinë të jepnin sugjerimet e tyre se si politikat e Bankës Botërore mund të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të krijojnë një të ardhme më të mire për fëmijët në të gjithë botën. Fëmijët dhe të rinjtë që morën pjesë në konsultim vinin nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit si At Zef Pellumbi, Lidhja e Prizrenit, 26 Nëntori, Ismail Qemali, Petro Nini Luarasi, Xhezmi Delli, Sami Frashëri etj.

Gjatë konsultimit një ditor pati diskutime në grup, aktivitete dhe diskutime mbi rolin dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve në vlerësimin e impaktit të politikave të Bankës Botërore. Në konsultim u diskutuan çështje të ndryshme si struktura, roli, funksioni dhe rëndësia e Bankës Botërore. Fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë dhanë rekomandime specifike se si mund të përmirësoheshin politikat e Bankës me anë të vendosjes së ekspertëve në terren të paanshëm dhe në bazë të fushave përkatëse. Pjesëmarrësit theksuan nevojën e vlerësimit fillestar të projekteve për të matur impaktin mbi fëmijët si dhe rëndësinë e konsultimit të vazhdueshëm me ta edhe gjatë zbatimit të projekteve.

Politikat mbrojtëse të Bankës janë krijuar për të shmangur dhe minimizuar impaktin negativ social dhe mjedisor të projekteve të financuara prej saj, veçanërisht në lidhje me grupet e varfra dhe të margjinalizuara. Pjesëmarrja e fëmijëve në rishikimin e këtij drafti nënvizon rëndësinë që organizatat e shoqërisë civile i japin fëmijëve dhe të rinjve në vendet ku operon Banka, ku shpesh fëmijët janë shpesh ndër më të varfrit dhe të margjinalizuarit. CRCA Shqipëri do të vijojë punën e saj për avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe do të lobojë që zëri i fëmijëve të dëgjohet në të gjitha proceset vendimmarrëse.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Mersila Ballo

HRH, CRCA Shqipëri

Tel: 2265741; E-mail: mersila.ballo@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL