89% e të rinjve deklarojnë se bashkitë nuk janë miqësore për ta!

89% e të rinjve deklarojnë se bashkitë nuk janë miqësore për ta!

Anketa Kombëtare “Rinia 2019”: 80 % e të rinjve në Shqipëri shohin papunësinë si problemin kryesor të tyre!

Tiranë, 6 Maj 2019 – Anketa Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”, e prezantuar në Samitin e 1-rë Kombëtar të të Rinjve, vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve vendore në Shqipëri, sjell një realitet të zymtë përsa i përket problematikave të të rinjve në vend. Anketa që vjen përpara Qershorit 2019, sjell fakte për të cilat duhet të reflektojnë edhe partitë politike por edhe kandidatët e të zgjedhurit vendorë.

Në Anketën Kombëtare, të rinjtë në Shqipëri, janë shprehur në masën më të madhe, rreth 89 %, se nuk gjejnë ambient miqësor, apo disi, në të gjitha bashkitë e qyteteve, jo vetëm për të adresuar problematikat e tyre por edhe për zgjidhje. Ato shprehin një nivel të ulët të besueshmërisë që kanë ndaj institucioneve lokale, pasi në nivel kombëtar rezulton se rreth 57 % e të rinjve e vlerësojnë punën e bashkive zero përsa i përket çështjeve dhe të drejtave të të rinjve.

Të dhënat sjellin shifrat se rreth 80 % e të rinjve në Shqipëri vuajnë papunësinë, ndërsa problematika tjetër shihet ajo e varfërisë me rreth 55 % të tyre.

Një fokus kryesor në Anketë zë edhe besueshmëria e të rinjve në të gjitha partitë politike dhe dëshira e tyre për të ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019. Rreth 62 % e të rinjve janë shprehur se nuk besojnë fare tek asnjë grupim politik, për të trajtuar problemet dhe për të bashkëpunuar me të rinjtë.

Mbi 50 % e të rinjve nuk do të votojnë në zgjedhjet vendore të 2019, pasi ato nuk kanë besim tek asnjë parti dhe program politik, si dhe asnjëra prej tyre nuk iu ngjall më shpresë për ndryshim duke i detyruar që të rinjtë të largohen nga Shqipëria. Gjithashtu rreth 84 % e të rinjve shprehen se partitë politike janë aspak apo shumë pak të hapura për të zgjidhur problemet e të rinjve në vend, duke u shprehur se partitë politike vetëm në 35 % të rasteve konsultohen me të rinjtë në fushata elektorale.

Të pyetur në Anketën Kombëtare se cili institucion është përgjegjës për zgjidhjen e problemeve të tyre, në nivel lokal ata kanë përcaktuar bashkitë si dhe në nivel kombëtar ata kanë bërë përgjegjëse Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Buxheti i rinisë, ka zënë një tjetër hapësirë në Anketën Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”. Rreth 73 % e të rinjve, thonë se buxheti i rinisë në bashkitë e tyre është i pamjaftueshëm për zgjidhjen e problematikave të tyre. Ndërkohë  që Buxheti i Shtetit për të rinjtë deri më tani vlerësohet me pamjaftueshmëri në masën 65 % të tyre.

Anketa Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019” është përgatitur nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri - ANYN, Child and Youth Policy Hub, CRCA/ECPAT Shqipëri, me mbështetjen e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri  - ACE. Qëllimi kryesor i kësaj ankete ishte evidentimi i problemeve të të rinjve në të gjithë Shqipërinë, duke u fokusuar si në çështjet vendore ashtu edhe ato kombëtare përfshirë edhe rolin e partive politike në zgjedhje. Anketa pati për qëllim edhe konsultimin me të rinjtë anë e mbanë Shqipërisë për zgjidhjet që ata mendojnë. Ajo u realizua përmes një metodologjie mikse duke zhvilluar takime konsultuese në të 12 qaqet e Shqipërisë si dhe përmes një plotësimi online të një pyetësori, ku u përfshinë në total 1210 të rinj dhe të reja.

Anketa Kombëtare do të shërbejë si një bazë e mirë të dhënash për të mbështetur prioritetet e Axhendës Kombëtare të të Rinjve 2019 -2025. Si dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë dhe politikat vendore për ta në çdo bashki të vendit. 

Për çdo informacion, kontaktoni: 

Laboratori për Politikat për Fëmijët dhe të Rinjtë

CRCA / EPCAT Shqipëri

E-mail: info@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL