PETICION

PETICION

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri - ANYN dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, në kuadër të reformës zgjedhore, bëjmë publike sot kërkesën tonë për uljen e moshës për të votuar në 16 vjeç. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para në Europë që njohu të drejtën e votës për gratë, që në vitin 1920.

Shumë vende kanë miratuar uljen e moshës për të votuar në 16 vjeç. Adoleshentët në Gjermani, Austri, Skoci, Norvegji dhe SHBA, gëzojnë këtë të drejtë për zgjedhjet vendore apo dhe ato kombëtare. Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, si dhe politikanët progresistë po kërkojnë të drejtën e votës për personat 16 vjeç për të gjithë të rinjtë në Europë. Zhvillimi i vendit, aksesi në arsim dhe teknologji, në vendimarrje në familje, komunitet, në shkolla dhe në Këshillat Bashkiakë, i ka dhënë dhe i jep mundësi adoleshentëve anembanë Shqipërisë për të qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e votës, si dhe për të vendosur për veten dhe interesat e tyre.

Në këtë kuadër, ANYN dhe CRCA/ECPAT Shqipëri i drejtojnë këtë Peticion Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjitha partive politike parlamentare me këtë kërkesë:

 

  1. Ulni moshën e votimit në 16 vjeç!

Ne ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë, të rinj e të reja, deputetë, politikanë, ministra, kryetarë bashkish e këshillash bashkiakë, çdo të interesuar të bashkohet me këtë Peticion për t’i dhënë një perspektivë të re demokracisë në Shqipëri.

 

 

ARGUMENTA QË MBËSHTESIN ULJEN E MOSHËS PËR TË VOTUAR

Ka një sërë argumentash pse duhet lejuar votimi në moshën 16 vjeç:

  • Ulja e moshës së votimit fuqizon demokracinë.
  • Adoleshentët dhe të rinjtë kanë të njëjtat përgjegjësi si të të rriturit, por u mohohen të njëjtat të drejta.
  • Në Shqipëri, Ligji dënon penalisht çdo person mbi moshën 14 vjeç, ndërkohë, ne nuk ju njohim të drejtën e votimit në moshën 16 vjeç.
  • Sot ligji i jep të drejtë çdo adoleshenti që ka mbushur moshën 14 vjeç të kryejë marrëdhënie seksuale me dëshirë, ndërkohë që e konsideron të paaftë për të votuar dhe për të vendosur për vetën dhe interesat e tij.
  • Adoleshentët dhe të rinjtë paguajnë taksa dhe zbatojnë ligjet njësoj si çdo qytetar tjetër i rritur.  Ata duhet të gëzojnë të drejtën e votës!
  • Politikanët do t’u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të adoleshentëve dhe të të rinjve, nëse ata do të mund të votojnë.
  • Adoleshentët do të kenë një mundësi unike në jetën e tyre, sepse do të marrin përgjegjësi për të vendosur për të ardhmen dhe interesat e tyre.
  • Të rinjtë bëhen pjesë e politikës dhe forumeve rinore politike para moshës 18 vjeç.
  • Njohuritë dhe eksperinca nuk janë një kriter për të votuar.
  • Të rriturit sot vendosin për çështjet dhe të drejtat e adoleshentëve, pse të mos vendosin ata për veten e tyre?!
  • Nuk ka asnjëherë vota të gabuara! Ka ligje dhe politika të gabuara ose përjashtuese!

 

Për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e nënshkrimit të këtij peticioni, ju mund ta firmosni atë në; https://www.crca.al/sq/voto-per-16

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL