Dy vjet pas protestës së studentëve, korrupsioni në universitete mbetet ende i pasfiduar!

Dy vjet pas protestës së studentëve, korrupsioni në universitete mbetet ende i pasfiduar!

Në web-Forumin online të CRCA-ANYN, studentë, pedagogë dhe deputetë çojnë shqetësimin se universitetet janë tejet të politizuar, ndërsa mësimi në distancë është në shkelje të rëndë të ligjit mbi arsimin e lartë

Tiranë, 9 Dhjetor 2020 – Vetëm dy vjet pas protestës disa-javore të studentëve, që u mbyll me premtime të shumta nga ana e Qeverisë, këtë 9 Dhjetor, studentët dhe pedagogët vijnë sërish bashkë duke treguar se asnjë nga premtimet nuk është mbajtur dhe situate vazhdon të mbetet e njëjtë.

Në Forumin online të bashkë-organizuar nga CRCA dhe ANYN, në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dhe në kuadër të Javës së Integritetit, studentë senatorë, pedagogë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë u përballën në një debat të hapur mbi situatën në të cilën ndodhet arsimi i lartë.

Studentët ndanë me të gjithë pjesëmarrësit dhe folësit një realitet të zymtë dhe tepër shqetësues përsa i përket gjendjes së universiteteve publike në Shqipëri. Ata ndanë historitë e tyre të cilat evidentonin korrupsionit në arsimin e lartë, si dhe situatën e përgjithshme të vështirë përgjatë mësimit në distancë në të cilën janë të detyruar të ndjekin leksionet përgjatë pandemisë Covid 19.

Disa nga studentët senatorë deklaruan se “Korrupsioni në universitete vijon në sferat ekzekutive dhe ato legjislative; Karta e Studentit nuk funksionon, nuk u realizua vetingu i stafeve pedagogjike, ndërsa universitetet po përdoren nga politika për tendera, punësime dhe propagandë politike. Mësimi në distancë që zhvillohet në këtë periudhë, është pothuaj i dështuar, pasi në qytetete e tjera të Shqipërisë, përveç Tiranës, jo vetëm mungon interneti dhe mundësia e lidhjes me të, por shpesh edhe energjia elektrike, ndërsa niveli ekonomik i studentëve nuk ndihmohet aspak nga qeveria për të përballuar këtë situatë. Nuk mund të imagjinohet aspak praktika apo përdorimi i laboratorëve. Pedagogët vijojnë të kërkojnë blerje të detyruar të librave të tyre personalë, ndërsa raportet e auditit në universitete kanë zbuluar se paratë publike përdoren keqas në universitetet shqiptare. Këshillat studentore nuk janë zëri i të rinjve, por janë zgjedhur dhe përshtatur në forume politike partiake, të cilat realizojnë vetëm propagandë”.

Në këtë takim on-line, përveç studentëve, edhe politikanët e pedagogët sollën përqasjet e tyre përsa i përket situatës së Arsimit të Lartë në vend.

Deputetja Rudina Hajdari deklaroi se: “Tashmë politika shqiptare ka krijuar një model të shëmtuar në të cilin edhe studentët mund të avancojnë në universitete vetëm në sajë të angazhimit politik dhe aspak të meritave.’’ Duke i cilësuar premtimet që u dhanë pas protestave të studentëve dy vite më parë, Hajdari nënvizoi se ndjehet e tronditur nga niveli i lartë i korrupsionit të perceptuar nga studentët në arsimin e lartë. Sipas saj, 90 % e studentëve në Shqipëri, kanë pranuar se universitetet kanë një nivel korrupsioni shumë të lartë, mbi nivelin mesatar dhe auditoret shqiptare tashmë janë politizuar.

Nora Malaj, ish-zwvendës Ministre e Arsimit dhe një aktiviste e të drejtave të njeriut- theksoi se: “Qeveria po shkel rëndë ligjin aktual mbi arsimin e lartë në vend me detyrimin që po i bën studentëve të ndjekjes së mësimit në distancë duke vijuar të paguajnë të njëjtat tarifa”. Malaj theksoi gjithashtu edhe një prej pikave thelbësore përsa i përket arsimit të lartë, atë të rritjes së buxhetit në masën 5 %. Një premtim ky që ishte deklaruar për vitin 2020.

Pedagogët në këtë debat, sollën edhe realitetin se sot, universiteti nuk është një përfaqësim i arsimit të lartë, por ka mbetur si një zgjatim i shkollës së mesme.

Merita Poni, pedagoge e Fakultetit të Shkencave Sociale, theksoi faktin se mungesa e theksuar dhe e plotë e kërkimeve shkencore i ka kthyer universitetet shqiptare në shkolla ku studentët vijojnë mësimin e tyre pas shkollës së mesme. “Këto shkolla, sepse nuk mund të quhen universitete, nuk janë në nivele akademike dhe përmbi të gjitha politika dhe qeverisja në vend, vijon të gënjejë për kampuset universitare, për kushtet në universitete, për mundësinë e ndjekjes së shkollës nga studentët me aftësi të veçanta, për mungesa të theksuara të shërbimeve bazë në këto shkolla e shumë të tjera”- deklaroi Poni.  

Forumi u organizua nga CRCA dhe ANYN Shqipëri, në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë, Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dhe Javës së Integritetit. Në vendin tonë numërohen rreth 115 mijë studentë që ndjekin universitetet publike.  Forumi përveçse identifikoi dhe adresoi shqetësimet e të rinjve dhe të studentëve, nxiti rekomandime dhe diskutimin e zgjidhjeve të mundshme.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL