Zëri i të rinjve të Tiranës dëgjohet për herë të parë në Këshillin Bashkiak

Zëri i të rinjve të Tiranës dëgjohet për herë të parë në Këshillin Bashkiak

Tiranë, 23 Dhjetor 2013 – Me iniciativën e CRCA dhe Lidershipit të të Rinjve të Tiranës, një grupim rinor i përbërë nga përfaqësues të organizatave rinore dhe forumeve rinore të partive politike, u organizua sot një Seancë Dëgjimore e të rinjve me Kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Aldrin Dalipi.

Në këtë seancë dëgjimore, e para e këtij lloji në 23 vjet, morën pjesë fëmijë dhe të rinj, përfaqësues të organizatave të ndryshme si CRCA, Alo 116, Lidershipi i të Rinjve të Tiranës, Qendra rinore ‘PO’, BYLA, Mjaft, Rrjeti i Vullnetarëve Shqiptarë, Qendra ‘Fëmijët Sot’, Fshati SOS, Këshilli Rinor Bashkiak, Brave New Generation dhe New Vision.

Seanca kishte për qëllim konsultimin me të rinjtë, lidhur me nevojat dhe prioritetet e tyre, përpara miratimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2014.

Z. Adrin Dalipi në fjalën hapëse tha “Kemi zgjedhur këtë seancë të parë dëgjimore me të rinjtë si një hap për veprime të përbashkëta për qytetin, pasi Këshilli Bashkiak është vendi i politikave që na prekin direkt e rregullojnë jetën e qytetit tonë. Kjo seancë është e rëndësishme për të njohur nevojat tuaja dhe gjithashtu sepse jo vetëm e bën institucionin më transparent por nis komunikimin mes nesh për të realizuar sa më mirë iniciativat e përbashkëta për qytetin. Ky komunikim duhet dhe do të jetë i vazhdueshëm.”

Gjatë seancës dëgjimore kryetarit të Këshillit Bashkiak iu prezantuan nga të rinjtë pjesëmarrës një seri problematikash, nevojash e kërkesash që kanë të rinjtë e Tiranës ndaj Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak. Atij gjithashtu iu vunë në dispozicion “Manifesti i të Rinjve të Tiranës” dhe “Plani i Veprimit të Rinj–Ofrues Shërbimesh” , dokumenta që përmbledhin disa prej veprimeve konkrete që mund të ndërmerren nga Bashkia për të rinjtë e Tiranës.

Nga të gjitha diskutimet, rezultuan si kërkesa prioritare dhe të përbashkëta për të rinjtë kundrejt Këshillit Bashkiak: ekzistenca e një zëri më vete për të rinjtë në buxhetin e ardhshëm të Bashkisë;  krijimi i një Bordi Këshillimor për fëmijët dhe të rinjtë pranë Bashkisë Tiranë; lejimi i ndjekjes së mbledhjeve të Komisioneve të Këshillit Bashkiak dhe Këshillit nga të rinjtë e interesuar; organizimi i takimeve periodike me Këshillin Bashkiak  për çështjet e fëmijëve dhe të rinjve. 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL