Shoqëria Civile dhe Aleanca e Grave Deputete propozojnë vendosjen e kuotës gjinore 40% në kodin zgjedhor dhe zgjedhjet vendore 2015

Shoqëria Civile dhe Aleanca e Grave Deputete propozojnë vendosjen e kuotës gjinore 40% në kodin zgjedhor dhe zgjedhjet vendore 2015

Tiranë, 9 Dhjetor 2014 - Koalicioni Për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë në bashkëpunim me Aleancën e Grave Parlamentare dhe organizata e aktivistë të shoqërisë civile, organizuan sot takimin konsultativ strategjik për të diskutuar rreth nismave të përbashkëta që mund të ndërmerren përgjatë muajve në vazhdim për të sjellë një ndryshim në përfaqësimin e grave në nivel vendor në Shqipëri.

Gjatë takimit u diskutua mbi reformën dhe ndryshimet e domosdoshme në Kodin Zgjedhor për të bërë të mundur përfaqësimin e legjitimuar të grave në politikë, nevojën  për përcaktimin e mekanizmave që do të sigurojnë zbatimin e kuotës gjinore, propozimet për ndryshime në Ligjin për Partitë Politike si edhe mbi aktivitetet që mund dhe duhet të ndërmerren nga të gjithë aktorë për të mbështetur, promovuar dhe rritur përfaqësimin e pjesmarrjen e grave në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Takimi u ndoq nga rreth 100 pjesmarrës, gra dhe vajza deputete, përfaqësues/e të organizatave të shoqërisë civile, anëtare të partive politike, aktivistë të të drejtave të grave, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, institucioneve te pavarura, Media, etj.

Idetë e hedhura në takim për iniciativa të përbashkëta kishin të bënin me kërkesën për rritjen e përqindjes së kuotës gjinore në 40%; forcimin e kuotës gjinore në mazhoritar për zgjedhjet lokale; lobimi me burrat deputetë e politikanë si një përpjekje e përbashkët; të fuqizohen gratë në nivel lokal përmes trainimeve; të promovohen në media; kuota gjinore 40% të kërkohet dhe arrihet brenda partive politike; të promovohen vlerat e grave; gratë deputete të mbështesin propozimet për ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor; të punohet me drejtuesit e partive politike për të bërë së pari ndryshime brenda partive; të punohet me gratë në komunitet dhe ato në zonat rurale për tu promovuar; të punohet bashkarisht për forcimin e forumeve të grave brenda partive politike; nxitja e modeleve pozitive të grave; forcimi i partneritetit mes aktorëve lokalë e ndërkombëtarë; agjensitë mbështetëse , donatorët dhe shoqëria civile të mbështesin aleancën e Grave deputete; inkurajimi e mbështetja e vajzave të reja; etj.

Ky takim ishte i pari i një përpjekje të përbashkët e cila do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2015. Takimi u bë i mundur falë mbështetjes së Olof Palme International Center.

Znj. Mimoza Hafizi, nën-kryetare e Aleancës së Grave Deputete në hapjen e takimit u ndal në tre shtyllat e aktivitetit dhe bashkëpunimit mes grave deputete pjesë e Aleancës, të cilat janë: lufta kundër dhunës ndaj gruas; fuqizimi ekonomik i gruas dhe rritja e pjesmarrjes së gruas në politikë e vendimmarrje.

Z. Altin Hazizaj, bashkëdrejtues i Koalicionit për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë u shpreh se shoqëria civile dhe vetë gratë janë promotore shumë të mira të grave dhe vajzave, të cilat i hyjnë rrugës së politikës, por që sigurisht edhe burrat duhet të jenë dhe të kosiderohen si partnerë të kauzës. Ai u ndal në propozimet për ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin e Partive politike që Koalicioni ad-hoc i shoqërisë civile ka përgatitur duke e vënë theksin tek kërkesa për rritjen e kuotës gjinore në 40 %, zbatimin e mekanizmit 1 në 3 si edhe në forcimin e sanksioneve për partitë që nuk zbatojnë kuotën gjinore.

Znj. Mesila Doda, kryetare e Aleancës së Grave Deputete, tha se mekanizmi 1 në 3 gra përgjatë gjithë listës së kandidatëve si edhe vendosja e sanksionit të mospranimit të listave të partive të cilat nuk zbatojnë kuotën gjinore duhet të jenë ndryshimet kryesorë në Kodin Zgjedhor për sigurimin e përfaqësimit të gruas. Por, sipas saj, nuk duhet të ndalemi vetëm këtu, pasi në listat dhe përballjen në mazhoritar duhet të rrisim përqindjen e grave edhe në maxhoritar.

Takimi u përshëndet edhe nga znj. Ermonela Felaj,  Ministre për Marrëdhëniet me Kuvendin, e cila në fjalën e saj e vuri theksin tek rëndësia e ndërgjegjësimit të opinionit publik për rolin e gruas në politikë dhe tek ndryshimi i kulturës politike. Sipas saj përqindja e grave si ministre në qeverinë aktuale tregon se vetdija dhe konsiderata për gruan është rritur. Por duhet të punohet akoma më shumë për rritjen e numrit të grave në pushtetin lokal duke qenë se edhe numri i përfaqësuesve në këshillat e ardhshëm lokalë do të jetë më i lartë. Gratë duhet të marrin pjesë në organizimet elektorale në komunitet pasi që aty marrin mbështetjen elektorale dhe morale.

Më pas fjala u mor edhe nga Znj. Irma Baraku, Komisionere për mbrojtjen nga diskriminimi; znj. Klodiana Spahiu, deputete; znj. Elona Gjebrea, zv.ministre e Punëve të Brendshme; znj. Nora Malaj, zv.Ministre e Arsimit si edhe nga përfaqësuese të shoqërisë civile.

Në fund të këtij takimi u ra dakord të punohet në drejtim të propozimit për vendosjen e kuotës gjinore 40% në kodin zgjedhor, mbështetjen dhe promovimin e grave në politikë si dhe fuqizimin e bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile dhe Aleancës së Grave Deputete.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL