Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bën thirrje për përfaqësim më të madh të grave në politikë

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bën thirrje për përfaqësim më të madh të grave në politikë

TIRANA, 6 mars 2015 – Me afrimin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, theksoi nevojën për një rritje të dukshme të përfaqësimit të grave në politikën shqiptare, si një element kyç për zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë.

“Përfaqësimi i ndjeshëm i grave në vendimmarrje është thelbësor për çdo vend që dëshiron të arrijë potencialin e tij të plotë. Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm, veçanërisht përmes rritjes së numrit të grave në qeveri në 30 për qind”, tha Raunig. “Megjithatë, ka ende sfida, pasi gratë përbëjnë vetëm 20 për qind në anëtarëve të Kuvendit, dhe veçanërisht në qeverinë vendore, ku vetëm 12 për qind e anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe vetëm një për qind e kryetarëve të bashkive e komunave janë gra”.

Raunig përshëndeti nismën e grave deputete dhe të organizmave të tjera për të rritur numrin dhe pjesëmarrjen e grave në politikë. “Disa parti politike janë zotuar se do ta rrisin numrin e grave në listat e kandidatëve. Kjo është për t’u lavdëruar dhe shpresojmë të jetë një tregues që klasa politike shqiptare synon ta trajtojë seriozisht çështjen e barazisë gjinore në politikë. Po ashtu, është thelbësore që partitë t’i vendosin gratë në pozicione të tilla në listat e kandidatëve që u japin një mundësi të ndershme dhe realiste për t’u zgjedhur”, tha ai.

Me afrimin e zgjedhjeve vendore të 2015-s, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka shtuar përpjekjet për të promovuar barazinë gjinore dhe për t’i fuqizuar gratë për të marrë plotësisht pjesë në jetën publike dhe politike. Prezenca po rrit kapacitetet e tyre për t’u paraqitur si kandidate në zgjedhje dhe po lobon për zbatimin e plotë të kuotës gjinore në Kodin Zgjedhor – si në germë, ashtu edhe në frymë.

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL