Për herë të parë 15% e bashkive të vendit drejtohen nga gra e vajza

Për herë të parë 15% e bashkive të vendit drejtohen nga gra e vajza

Tiranë, 3 Shtator 2015 - Pasi ka përfunduar procesi i mandatimit të kryetarëve të rinj të 61 bashkive të vendit, pas zgjedhjeve vendore 2015, rezulton se 9 bashki në rang vendi ose 14.7% janë fituar dhe do të drejtohen nga kryebashkiake gra e vajza.

Këto zgjedhje përveç votimit për herë të parë sipas reformës së re territoriale, bënë të mundur edhe rritjen e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në vendimmarrjen lokale. Nëse krahasojmë shifrat me zgjedhjet vendore të vitit 2011, ku gratë kryebashkiake përbënin vetëm 1.31 % të numrit të përgjithshëm, në zgjedhjet e fundit vendore 2015 vihet re një rritje e dukshme e pjesmarrjes së grave si kandidate për kryetare bashkish dhe gjithashtu si të zgjedhura në krye të bashkive të vendit.

Analiza e të dhënave e kryer nga Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë tregon sa më poshtë:

Zgjedhjet Vendore 2011

  • Nga 872 kandidatë për kryetarë bashkish, 15 ishin gra e vajza ose 1.72 %
  • Nga 384 kryetarë fitues, vetëm 5 ishin gra e vajza ose 1.31 %

Zgjedhjet Vendore 2015

  • Nga 157 kandidatë në total për kryetarë bashkish, 16 ishin gra e vajza, ose rreth 10.1 %. Nga këto 9 përfaqësonin PS-në, 3 LSI-në, 3 PD-në dhe 1 e pavarur.
  • Nga 41 kandidatë në total të PS-së, 9 ishin gra e vajza ose rreth 21.95 %. 
  • Nga 16 kandidatë në total të LSI-së, 3 ishin gra e vajza ose rreth 18.75 %.
  • Nga 60 kandidatë në total të PD-së, 3 ishin gra e vajza ose 5 %.
  • Nga 40 kandidatë të pavarur ose të partive të vogla si PDIU, PSD, PBDNJ, MEGA, AP, etj., vetëm 1 prej tyre ishte grua/vajzë ose 2.5 %.
  • Nga 61 kryetarë fitues, 9 janë gra e vajza ose 14.7 %.Nga këto 1 e së djathtes PD, dhe 8 të së majtës me ndarje 6 PS dhe 2 LSI.

Por pavarësisht rezultatit të këtyre zgjedhjeve të cilat sollën rritje të përfaqësimit të grave e vajzave si kryetare bashkish ende jemi larg arritjes së standartit të dëshiruar për barazi të plotë gjinore.

Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë beson se vetëm vendosja e kuotës gjinore 50% për listat e kandidatëve për kryetarë bashkish dhe sanksionimi ligjor i të drejtës së refuzimit të listës nga KQZ-ja në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, ashtu sikurse u vendos në Kodin Zgjedhor për listat e anëtarëve të këshillave bashkiake, do të mundësonte rritjen reale të pjesëmarrjes e përfaqësimit të grave edhe në nivel drejtues në vendim-marrjen lokale. Koalicioni vazhdon punën për arritjen e këtij standarti dhe barazisë së plotë gjinore në vend.

 


Për më shumë info, kontakto: Tel: 2265741 ose e-mail: blerina.metaj@crca.al

http://www.crca.al/sq/gratë-dhe-të-rinjtë-në-politikë  

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL