Koalicioni ad-hoc i Shoqërisë Civile për Barazi Gjinore merr pjesë në Seancën Dëgjimore për ndryshime në Kodin Zgjedhor

Koalicioni ad-hoc i Shoqërisë Civile për Barazi Gjinore merr pjesë në Seancën Dëgjimore për ndryshime në Kodin Zgjedhor

11 Mars 2015 – 5 përfaqësues të Koalicionit Ad-Hoc të organizatave të shoqërisë civile për Barazi Gjinore, morën pjesë në Seancën Dëgjimore të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Koalicioni Ad-Hoc i organizatave të shoqërisë civile, i cili përbëhet nga  Koalicioni për Pjesëmarrjen e Grave dhe të Rinjve në Politikë, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje, Rrjeti për Fuqizimin e Gruas në Shqipëri, Rrjeti i Grave në Demokraci/Shqipëri, është së bashku prej Marsit 2012 me qëllim lobimin dhe advokimin për rritjen e pjesmarrjes së gruas në politikë dhe vendimmarrje dhe specifikisht për aprovimin e zgjidhjeve më të mira të kuotës gjinore në legjislacionin tonë elektoral.

Koalicioni ad-hoc, gjatë vitit të fundit, nën koordinimin e Koalicionit për Pjesëmarrjen e Grave dhe të Rinjve në Politikë dhe mbështetjes së Olof Palme International Centre, ka punuar për përgatitjen e një seti propozimesh pёr ndryshime nё Kodin Zgjedhor tё Republikёs sё Shqipёrisё, të cilat kanë për qëllim tu japin shanse të barabarta grave për të bërë të mundur arritjen e barazisë gjinore në vendim-marrje dhe në jetën politike, gjë e cila ende nuk është arritur. Kërkesat kryesore kanë të bëjnë me a) vendosjen e kuotës gjinore 40% në listat shumëemërore si për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore; b) vendosjen e mekanizmit një në çdo tre emra të njëpasnjëshëm të listës t’i përkasë secilës gjini; c) refuzimin e listave shumёemёrore ose ato të kandidateve për zgjedhjet në Kuvend ose për organet e qeverisjes vendore, për çdo zonë zgjedhore, tё subjektit zgjedhor që nuk ka zbatuar detyrimet gjinore.

Këto kërkesa u prezantuan gjatë seancës dëgjimore nga një prej përfaqësueseve të Koalicionit ad-hoc, duke mbështetur në të njëjtën kohë edhe projekt-ligjin e propozuar nga Aleanca e Grave Deputete e cila konsiston në rritjen e kuotës së grave në zgjedhjet vendore.

Seanca dëgjimore u zhvillua për dy projektligje të depozituara nga dy grupe deputetësh. I pari konsiston në disa ndryshime për zhvillimin e zgjedhjeve vendore 2015 që përkojnë me ndryshimet e bëra me miratimin e ndarjes administrativo-territoriale, ndërsa projektligji tjetër konsiston në rritjen e kuotës së grave në zgjedhjet vendore dhe është propozuar nga Aleanca e Grave Deputete.

Nënkryetarja e Aleancës së Grave Deputete, znj. Mimoza Hafizi theksoi se projektligji i paraqitur nga ata, synon rritjen e pjesëmarrjes së grave në Këshillat e ardhshëm Vendor, por edhe në Zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ndërsa, KQZ shprehu mbështetjen e plotë të saj, duke kërkuar që këto ndryshime të bëhen gradualisht në mënyrë që të mos ketë pasoja rrjedhëse nga miratimi i saj.                                                         

Në fund të mbledhjes, Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut theksoi se relatori z. Armando Subashi do të bashkëpunonte me përfaqësuesit e KQZ-së në mënyrë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të shqyrtohen sa më parë për të kaluar në mbledhjen e ardhshme të komisionit.

Koalicioni për Pjesëmarrjen e Grave dhe të Rinjve në Politikë, mirëpret dhe nxit parlamentarët që të miratojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor të lidhura veçanërisht me kuotën gjinore. Z. Altin Hazizaj, përfaqësues i këtij Koalicioni, shprehet se duke pasur parasysh moszbatimin e kuotës gjinore në listat elektorale nga partitë kryesore në vend gjatë zgjedhjeve të fundit, ne kërkojmë që në Kodin Zgjedhor të bëhen këto ndryshime dhe të përcaktohen mekanizmat e duhur që do të bënin të mundur zbatimin real të kuotës gjinore.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL