TË ÇMONTOJMË NJË HERË E PËRGJITHMONË SISTEMIN E DHUNËS REZIDENCIALE KUNDËR FEMIJËVE NË SHQIPËRI!

TË ÇMONTOJMË NJË HERË E PËRGJITHMONË SISTEMIN E DHUNËS REZIDENCIALE KUNDËR FEMIJËVE NË SHQIPËRI!

DEKLARATË PUBLIKE

Tiranë, 19 Maj 2016 – Qendra për të Drejtat e Femijëve në Shqipëri (CRCA) është thellësisht e shqetësuar në lidhje me rastin më të fundit të dhunës seksuale, të raportuar nga ana e Prokurorisë, ndaj tre femijëve vajzave nën kujdesin e Shtëpisë së Femijëve në Shkodër, ku dyshohet  se shkak i saj ka qenë neglizhenca e stafit dhe e drejtuesve të Shtëpisë.

Nuk është hera e parë që Shtëpitë e Femijëve, si qendra rezidenciale të përhershme të kujdesit për femijët jetimë dhe ata të braktisur nga prindërit biologjikë në Shqipëri , vendosen në qendër të akuzave për përdorim të dhunës ndaj femijëve. Rasti i fundit, vjen në vazhdën e ngjarjeve të rënda të ndodhura më parë si në Shtëpinë e Femijëve në Shkodër, ashtu edhe në Durrës, Tiranë e Sarandë, kohë më parë.Shpeshtësia e këtyre ngjarjeve të papranueshme, që cënojnë dinjitetin dhe mireqenien e femijës në të gjitha drejtimet, na sjell përpara pyetjeve: Pse ndodhin këto ngjarje kaq shpesh në institucionet rezidenciale? Si i drejtojmë ne këto institucione? Në bazë të cilave standarte dhe protokollo i mbrojmë ne femijët? A janë shtëpitë e femijëve mundësia e vetme dhe më e mirë për t’u kujdesur për femijët që mbeten pa kujdes prindëror?

Mungesa e një sistemi të përkujdesjes shoqërore të ndërtuar mbi standartet më të larta të mbrojtjes dhe garantimit të mirëqenies së femijës, çdo ditë e më tepër po na tregon se shteti shqiptar, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal, nuk ka mundësi për t’i mbrojtur femijët nga dhuna, diskriminimi, neglizhenca dhe shfrytëzimi, sidomos të atyre femijëve që më së shumti kanë nevojë për mbrojtjen dhe përkujdesjen e Shtetit dhe të shoqërisë!

Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Femijëve në Shqipëri, pas marrjes në konsideratë në mënyrë të kujdesshme të të gjithë faktorëve që nxisin, inkurajojnë apo ushqejnë dhunën shtetërore ndaj femijëve, i kërkon sot publikisht Ministrisë së Mireqenies Sociale dhe Rinisë si dhe Administratës së Përgjithshme të Shërbimit Social që brenda vitit 2016 të çmontojnë një herë e përgjithmonë sistemin e përkujdesjes shoqërore përfemijët jetimë, nëpërmjet vendosjes së tyre në qendra rezidenciale.

Po në vijim të kësaj kërkese, ne i rekomandojmë Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Mireqenies sa më poshtë:

1.       Kuvendi i Shqipërisë të miratojë me procedurë të përshpejtuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për të hetuar dhunën, neglizhencën apo shfrytëzimin që mund t’i jetë bërë femijëve që kanë jetuar dhe jetojnë në Shtëpi të Femijëve (publike ose private). Viktimat e çdo akti dhune presin që shteti i tyre të tregojë përgjegjësinë maksimale në dëgjimin e historive të tyre dhe venien përpara përgjegjësisë të çdo abuzuesi;

2.       Kuvendi i Shqipërisë të miratojë me prioritet ndryshimet ligjore në Kodin e Familjes dhe në ligje të tjera, që do të bënin të mundur kthimin e shërbimit të familjeve alternative në një sistem kombëtar të përkujdesjes alternative në familje për femijët e mbetur pa familje apo që vijnë nga familje të padenja. Ky sistem duhet të përfshijë edhe monitorimin e vazhdueshëm dhe profesional të këtyre familjeve përkujdesëse dhe mbështetjen financiare të tyre;

3.       Këshilli i Ministrave të vendosë, bazuar në një plan të qartë dhe të detajuar, mbylljen e çdo institucioni rezidencial të përhershëm të përkujdesjes së femijëve dhe kthimin e të gjithë shtepive të femijëve në Qendra të Punës Sociale dhe Komunitare, të bashkë-administruara nga Shërbimi Social Shtetëror dhe organizatat e shoqërisë civile, dhe të financuara nga Fondi Social i Buxhetit të Shtetit.

4.       Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim dhe konsultim me shoqërinë civile, me viktimat që i kanë mbijetuar dhunës, shoqatat e jetimeve, ekspertët e të drejtave të femijeve dhe të shërbimeve sociale, të përgatisnin strategjinë e mbylljes të të gjitha qendrave rezidenciale të përhershme për femijët dhe në të njëjtën kohë t’i propozojnë Kuvendit të Shqipërisë ndryshimet e nevojshme ligjore që bëjnë të mundur krijimin e një sistemi kombëtar të familjeve përkujdesëse, të standarteve përkatëse dhe të financimit nga Fondi Social i Buxhetit të Shtetit.

CRCA Shqipëri i rekomandon të gjitha instancave të mësipërme mbylljen e të gjitha institucioneve të përhershme rezidenciale të femijëve brenda vitit 2016 dhe vendosjen e të gjithë femijëve në familje të përkujdesit alternativ dhe të adoptimit të çdo femije, që është në moshën e lejuar nga ligji për t’u adoptuar.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL