MOS HAPNI SHKOLLAT PA NJË STUDIM MBI PASOJAT E COVID-19 TE FËMIJËT!

MOS HAPNI SHKOLLAT PA NJË STUDIM MBI PASOJAT E COVID-19 TE FËMIJËT!

CRCA/ECPAT Shqipëri: Qeveria e ka për detyrë të tregojë konsideratën maksimale për jetën dhe mirëqenien e fëmijëve!
Tiranë, 20 Gusht 2020 – CRCA/ECPAT Shqipëri me anë të këtij reagimi publik, drejtuar Qeverisë shqiptare, kërkon të shprehë shqetësimin e saj në lidhje me kërkesën e Ministrisë së Arsimit për hapjen e vitit të ri shkollor 2020-2021 në 14 Shtator, sikur Shqipëria të ishte në kushte normale dhe jo e gllabëruar nga Covid19. Situata shëndetësore për shkak të virusit paraqitet aq e rëndë, sa Shqipëria dhe qytetarët tanë e kanë të ndaluar kategorikisht të udhëtojnë në një vend të BE-së. Edhe në listën e vendeve më të prekur nga COVID, Shqipëria figuron ndër vendet e para në Europë për numrin e lartë të prekurve për 100,000 banorë.

Pavarësisht këtyre fakteve tepër shqetësuese dhe kokëforta, duket se Ministria e Arsimit, ka marr vendimin e saj për hapjen e vitit të ri shkollor në datë 14 Shtator për të gjithë fëmijët dhe 31 Gusht për fëmijët që nuk kanë patur akses të mësimit online. Deri më tani nuk ka patur asnjë lloj konsultimi publik në lidhje me hapjen e vitit të ri shkollor as me Bordet e prindërve dhe as me organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushën e arsimit apo të të drejtave të fëmijës.

Nisur nga kjo situatë e pazakontë dhe me rrezik tepër të lartë për shëndetin e fëmijëve, ne kemi një pyetje të vetme për Qeverinë shqiptare: Mbi cilin studim apo fakte u bazua Ministria e Arsimit për të marrë vendimin për hapjen e vitit të ri shkollor në datë 14 Shtator 2020? Cilët janë ekspertët e Ministrisë që i konsiderojnë shkollat, në situatën aktuale, mjedise të sigurta për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës?

Deri më sot, Ministria e Arsimit, pavarësisht deklaratave inkurajuese që ka dhënë në lidhje me shkallën e përgatitjes së trupës mësimore në Shqipëri për t’u përballur me Covid19, nuk ka ndarë asnjë studim të detajuar se cili do të jetë ndikimi që do të ketë Covid-19 te fëmijët, si mund të ndikojë hapja e shkollave në përhapjen akoma edhe më gjerë të virusit në popullatë dhe, cilat janë masat praktike dhe strategjike që ka ndërmarrë Ministria për të eleminuar ekspozimin e fëmijëve në një virus, që sipas shkencëtarëve, shkakton pasoja jo pak të lehta edhe tek fëmijët?

Shkencëtarët në Shtetet e Bashuara të Amerikës, ku në disa shtete shkollat janë hapur prej disa javësh, kanë nisur të ndajnë shqetësimin e tyre që një pjesë e fëmijëve janë prekur nga virusi gjatë qëndrimit në shkollë duke u kthyer në një nga grupet kryesore të shpërndarjes së virusit në komunitete, ndërkohë që një pjesë e fëmijëve janë shtruar në spital për shkak të komplikacioneve. Këto informacione janë ndarë publikisht dhe gjerësisht jo vetëm në rrethet shkencore të mjekëve, por edhe në mjetet serioze të informimit si CNN apo BBC, por me sa duket ato nuk paskan arritur në veshët e Qeverisë shqiptare dhe ato të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë. 

Të gjithë jemi në dijeni, që anjë prej mësuesve të arsimit parauniversitar, nuk është trajnuar për t’u përballuar me Covid, distancimin social. Një pjesë e mire e shkollave tona të arsimit parauniversitar publik janë thuajse jashtë çdo standarti të kujdesit minimal ndaj fëmijëve, përfshi edhe higjenën personale të tyre, e jo më të mendohet se këto lloj ndërtesash do të jenë të afta të ofrojnë sigurinë maksimale dhe mbrojtje ndaj covid-19. 

CRCA/ECPAT Shqipëri, nëpërmjet këtij reagimi publik, i kërkon publikisht Qeverisë shqiptare: Mos hapni shkollat publike të arsimit parauniversitar, pa një studim të mirëfilltë të ndikimit dhe përhapjes së covid tek fëmijët dhe për shkak të fëmijëve tek familjet në Shqipëri!

Hapja e shkollave duhet bërë vetëm nëpërmjet një plani kombëtar të mirë-studiuar, të konsultuar me prindërit dhe publikun, që merr në konsideratë shëndetin e fëmijëve, shkallën e përhapjes së virusit në Shqipëri, mundësitë e sistemit pediatrik që të përballet me rritjen e mundësisë që covid-19 do të prekë edhe fëmijët më të varfër dhe më të ekspozuar ndaj sëmundjeve aspiratore, diabetit, mungesës së ushqimit të shëndetshëm etj.

Nëpërmjet këtij reagimi ne i drejtohemi të shqetësuar të gjithë anëtarëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, si dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për të kërkuar urgjent nga Ministria e Arsimit, hartimin dhe konsultimin e një plani mbarëkombëtar për hapjen e vitit arsimor për arsimin publik parauniversiytar për vitin shkollor 2020-2021. Ky plan duhet ndër të tjera të përfshijë edhe hapa të qartë të arsimimit në distancë të fëmijëve – nëse gjithmonë hapja e shkollave do të konsiderohet nga ekspertët si e pamundur.

Vetëm 24 ditë na ndajnë nga nisja e një viti të ri shkollor. Le të mos e kthejmë atë në vitin kundër jetës së fëmijëve në Shqipëri!

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL