Deklaratë - 25 Maj-Dita Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur

Deklaratë - 25 Maj-Dita Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur

Çdo ditë në botë humbasin rreth 22.000 fëmijë apo 8 milion fëmijë në vit. 1 në 7 fëmijë të humbur ka më tëpër gjasa që të bëhët viktimë e trafikimit dhe shfrytëzimit. 30% e viktimave të trafikut ndërkombëtar të fëmijëve janë me origjinë nga vendet e Europës Juglindore. ALO 116-Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë raporton se çdo ditë një fëmijë mendon të largohet apo është larguar nga shtëpia në Shqipëri. Arratisja apo largimi nga shtëpia e fëmijëve dhe adoleshentëve nga disa orë në disa ditë është forma më e përhapur e manifestimit të refuzimit që fëmijët në Shqipëri i bëjnë situatave familjare, dhunës, abuzimit dhe neglizhimit.

Sot bëhen 4 vite që Bleona Mata është zhdukur dhe kërkimet e kryera deri më sot ende nuk kanë hedhur dritë mbi humbjen e saj. Kanë kaluar 3 vite që nga humbja e Marteo Bejaj. Kanë kaluar 18 muaj që nga humbja e Julian Çelës dhe më shumë se 6 vite që nuk kemi asnjë informacion për vendodhjen e Mirjeta dhe Isa Matmujës.

Dita Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, është një ditë e cila ka për qëllim të kujtojë fëmijët e zhdukur që akoma nuk janë gjetur, të kujtojë të gjithë ata fëmijë viktima të krimit dhe për të vazhduar përpjekjet për të gjetur ata që janë akoma të humbur.

Institucionet qeveritare, agjencitë ligjzbatuese, policia, prokuroria, shoqëria civile dhe komunitetit në tërësi sëbashku duhet të maksimizojmë burimet për të përhapur mesazhin se asgjë nuk është më e rëndësishme për shoqërinë tonë se sa krijimi i një mjedisi të sigurt për fëmijët.

Nëpërmjet kësaj deklarate, ne shprehim mbështetjen tonë të vazhdueshme për familjen e Bleonës së vogel, Mateos, Julianit, Mirjetes dhe Isas. Së bashku ne mund ti gjejmë ata!

ALO 116-000 në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur, kërkon nga të gjitha institucionet përgjegjëse angazhim serioz për sa më poshtë:

  • Intesifikimin e kërkimeve për gjetjen e të gjithë fëmijëve të humbur;
  • Krijimin e një procedure standarte për të përkufizuar qartësisht termin “Fëmijë i humbur” dhe percaktimin e një procedure të kalimit nga fëmijë i larguar në fëmijë i humbur dhe i zhdukur;
  • Trajtimin me emergjencë të çdo denoncimi për rastet e largimit të fëmijëve nga familja dhe shpalljen e çdo fëmije “si të humbur” brenda 6 orëve që nga momenti kur nuk është gjetur fëmija,pavarësisht nëse fëmija është rast me precedent të përsëritur të largimit edhe kur jeta e fëmijës në dukje nuk është në rrezik;
  • Trajtimin e çdo rasti të fëmijëve të humbur si i rrëmbyer apo i trafikuar derisa të provohet e kundërta;
  • Të krijohet një Rregjistër Kombëtar për trafikuesit, shfrytëzuesit dhe abuzuesit e fëmijëve.

Duke mbështetur intesifikimin e kërkimeve nga organet e shtetit, Linja për Fëmijët e Humbur në Shqipëri- ALO 116-000 është në dispozicion falas 24 orë në 7 ditë të javës, ku çdo qytetar, mund të raportojë në mënyrë anonime, nëse beson se ka të dhëna të mjaftueshme për të lehtësuar gjetjen e një fëmije të humbur.

“SË BASHKU NE MUND TI GJEJME ATA”

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL