57 mijë fëmijë në Shqipëri presin nga Qeveria që t’i mbrojë nga puna dhe shfrytëzimi!

57 mijë fëmijë në Shqipëri presin nga Qeveria që t’i mbrojë nga puna dhe shfrytëzimi!

Deklaratë Publike

Tiranë, 11 Qershor 2014 - A.Z. është 6 vjeç. Prej disa muajsh ai punon së bashku me familjen e tij, nga mengjesi deri në darkë, duke mbledhur kanaçe dhe prodhime plastike të hedhura në koshat e plehrave në Tiranë. Asnjëherë familja e tij nuk e kishte menduar se ardhja e tyre dhe jetesa në kryeqytet do të ishte kaq e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Lejimi i shfrytëzimit të fëmijëve vetëm nxit shfrytëzimin e mëtejshëm të tyre! Puna dhe shfrytëzimi i fëmijëve ndodh përpara syve tanë; përpara fytyrave të deputetëve, ministrave, kryetarëve të bashkive dhe komunave! Kodi Penal ndëshkon këdo që shfrytëzon fëmijët për punë. Neni 124/b, paragrafi 2, i Kodit Penal thotë: “Detyrimi, shfrytëzimi, shtytja ose përdorimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe/ose fizik, apo arsimimin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.”Megjithatë, deri më sot asnjë person nuk është gjykuar dhe dënuar për shfrytëzimin e punës së fëmijëve në Shqipëri!

Studimi Kombëtar mbi Punën e Fëmijëve në Shqipëri (INSTAT 2012) vlerëson se 57,000 fëmijë ose 8,2 % e fëmijëve të moshës 5-17 vjeçare punojnë. Ndër ta, 52.2 % e punëtorëve fëmijë janë të punësuar në kushte të rrezikshme dhe 14.8 % punojnë me orë të tejzgjatura. Për më tepër, 5-13-vjeçarët, të cilët e kanë të ndaluar nga legjislacioni kombëtar që të punojnë, madje edhe për një orë në javë, përbëjnë 28.5 % të punëtorëve fëmijë në Shqipëri. Studimi tregoi se 40,9% e fëmijëve angazhohen në shërbime të papaguara dhe punë familjare. Që nga bërja publike e këtij studimi të rëndësishëm e deri më sot, thuajse asnjë nismë qeveritare nuk është zbatuar për të mbrojtur nga shfrytëzimi 57,000 fëmijë në Shqipëri!

Studimi i fundit i UNICEF / Save the Children / ARSIS për fëmijët në situatë rruge në Shqipëri (Prill 2014) tregoi se rreth 2,527 fëmijë shfrytëzohen për shitjen e cigareve, ujit, artikujve ushqimorë, luleve, lapsave, aromatikëve për makina, mbledhjen e kanabis, etj. Në 96% të rasteve fitimi i të ardhurave ishte arsyeja kryesore e qenies së fëmijëve në rrugë.Një plan masash ende i pabuxhetuar është duke u zbatuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale në qytetin e Tiranës, duke lënë pa shpresë mbi 1800 fëmijë të tjerë në situatë rruge anembanë Shqipërisë.

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA, një organizatë kombëtare që avokon për respektimin e të drejtave të fëmijëve, në kuadër të 12 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare kundër Punës së Fëmijëve, kërkon të shpreh publikisht shqetësimin e saj për mungesën e masave serioze për eleminimin e punës së fëmijëve, mungesën e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjitdhe tendencën e mos-zbatimit të ligjit kur ai kërkon mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të fëmijëve në Shqipëri. Asgjë nuk mund të justifikojë mungesën e veprimeve institucionale për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi!

Shqipëria nuk bën përjashtim nga vendet e tjera të pazhvilluara, ku shfrytëzimi i punës së fëmijëve është një ndër mjetet kryesore të mbajtjes gjallë të familjes dhe fëmijëve të tjerë. Por, në bindjen tonë, kur ky fenomen ndodh në një vend që kërkon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian dhe është nënshkrues i të gjithë Konventave ndërkombëtare që mbrojnë fëmijët dhe të drejtat e tyre, atëhere ai bëhet i patolerueshëm. Mungesa e kulturës së mos-ndëshkimit të atyre që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe lejimi me ndërgjegje nga ana e autoriteteve të shfrytëzimit të fëmijëve, për ne është i papranueshwm!

Nisur nga situata e rëndë dhe alarmante, ku ndodhen 8.2 përqind e fëmijëve në Shqipëri, ne i rekomandojmë institucioneve publike të Shtetit shqiptar të ndërmarrin hapat e mëposhtëm:

  1. Kuvendi i Shqipërisë të thërrasë në një Seancë të Hapur Dëgjimore dhe llogaridhënëse të gjithë drejtuesit e institucioneve përgjegjës për eleminimin e punës dhe shfrytëzimimit të fëmijëve në Shqipëri;
  2. Qeveria shqiptare duhet të marrë seriozisht në konsideratë ofrimin e ushqimit falas për çdo fëmijë që ndjek arsimin parashkollor dhe atë të detyrueshëm 9-vjeçar, si një ndër modelet që mund të largojë fëmijët nga varfëria, puna dhe shfrytëzimi, si dhe miratimin e një plani kombëtar për eleminimin e varfërisë në Shqipëri;
  3. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë duhet të nisë menjëherë përgatitjen e Planit Kombëtar për Eleminimin e Punës së Fëmijëve, një detyrim ky i Shtetit shqiptar që prej vitit 2001, në zbatim të Konventave të ILO-s 138 dhe 182;
  4. Prokuroria e Përgjithshme duhet të krijojë një seksion të ri në të gjithë Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, për ndjekjen e veprave penale kundër fëmijëve dhe të miturve në mënyrë që tëzbatojë në mënyrë rigoroze Kodin Penal.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL