50% e Kuvendit të ardhshëm të jenë gra dhe vajza

50% e Kuvendit të ardhshëm të jenë gra dhe vajza

DEKLARATË PUBLIKE

KUVENDI I SHQIPËRISË TË NIS DISKUTIMET PËR KODIN ZGJEDHOR

Tiranë, 07 Tetor 2015 - Zgjedhjet e fundit Vendore të 21 Qershorit 2015 sollën një rritje të konsiderueshme të pjesmarrjes së grave si kandidate për këshillat bashkiakë, pas vendosjes së kuotës gjinore 50% në Kodin Zgjedhor. Por pavarësisht kësaj, përfaqësimi i grave si këshilltare të zgjedhura në Këshillat Bashkiakë aktualë nuk mundi të arrinte barazinë e kërkuar burrë-grua. Aktualisht vetëm 34 % e këshillave bashkiakë në rang vendi përbëhen nga gra e vajza, kjo edhe për shkak se 90% e listave shumëemërore të kandidatëve për këshilltarë nisnin me një kandidat mashkull. Ndërkohë vetëm 15% e bashkive në rang vendi drejtohen nga gra e vajza.  

Ndonëse krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve vendore të vitit 2011, rezultatet e zgjedhjeve të fundit sollën rritje të përfaqësimit të grave e vajzave si kryetare bashkish dhe si këshilltare, ende jemi larg arritjes së standartit të kërkuar për barazi të plotë gjinore.

Ne mendojmë që ky është momenti vendimtar përpara Zgjedhjeve Kombëtare të vitit 2017, për të bërë të mundur vendosjen e mekanizmit që garanton përfaqësimin real të gruas në vendimmarrje.Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë beson se vetëm vendosja e kuotës gjinore 50% për listat e kandidatëve për kryetarë bashkish në zgjedhjet lokale dhe për listat e kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme si dhe sanksionimi ligjor i të drejtës së refuzimit të listës nga KQZ-ja në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, ashtu sikurse u vendos në Kodin Zgjedhor për listat e anëtarëve të këshillave bashkiake, do të mundësonte rritjen reale të pjesëmarrjes e përfaqësimit të grave edhe në nivel drejtues në vendim-marrjen lokale e atë qëndrore.

Rritja reale e përfaqësimit të gruas në vendimmarrjen lokale, pas zgjedhjeve 2015, si pasojë e vendosjes së kuotës gjinore 50% për këshilla bashkiakë, nuk do të ishte bërë e mundur pa presionin e shoqërisë civile por mbi të gjitha pa vullnetin e lidershipit të partive politike në vend dhe Kuvendit të Shqipërisë. Për çka më sipër ne besojmë se është momenti i duhur që liderat e partive politike dhe parlamentarët të tregojnë angazhimin dhe vullnetin e tyre pozitiv, të nisur tashmë përpara zgjedhjeve 2015, për arritjen e barazisë së vërtetë burrë-grua edhe në Zgjedhjet Kombëtare 2017.


Për më shumë info, kontakto: Tel: 2265741 ose e-mail: blerina.metaj@crca.al

http://www.crca.al/sq/gratë -dhe-të-rinjtë-në-politikë  

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL