Tiranë, 27 Qershor 2022 – ANYN, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, hapën sot fushatën e nënshkrimit të peticionit për uljen e moshës së votimit në Shqipëri në 16 vjeç. Një fushatë kjo që rinis në Tiranë dhe do të vijojë edhe në qytete të tjera të vendit, në mbledhjen e firmave dhe të mbështetjes së qytetarëve për ndryshimin e moshës që i jep të drejtë adoleshentëve për të votuar.
ANYN dhe CRCAi drejtohen me këtë peticion jo vetëm Kuvendit të Shqipërisë, por edhe të gjithë aktorëve të tjerë politikë në vendin tonë, për t’i ftuar që të votojnë ndryshimin e kushtetutës dhe të kodit zgjedhor dhe më pas edhe ta aprovojnë uljen e moshës së votimit në Shqipëri.
Kërkesa për uljen e moshës së votimit është bërë publike për herë të parë nga ANYN dhe CRCA/ECPAT Shqipëri në vitin 2018.
“Ulja e moshës së votimit, nga 18 vjeç në 16 vjeç, është një proces që fuqizon demokracinë dhe i krijon përgjegjësi adoleshentëve për të drejtat e tyre.” – tha Marsela Delija, Presidente e ANYN gjatë leximit publik të peticionit në Sheshin Skënderbej sot në kryeqytet.

Ulja e moshës së votimit, do t’i bëjë adoleshentët të kenë një mundësi unike në jetën e tyre që të marrin përgjegjësitë politike që në moshën 16 vjeç, si dhe një vëmendje akoma më të shtuar të politikës ndaj tyre.
Shqipëria, ka eksperienca pozitive përsa i përket garantimit të të drejtës së votes, si një ndër vendet e para në Europë që iu njohu grave të drejtën e votës, që në vitin 1920. E drejta e votës në moshën 16 vjeç njihet tashmë në shumë vende, si: Austri, Gjermani, Amerikë, Skoci, Norvegji, Brazil, Argjentinë, Zelanda e Re, etj.
 
 Për më shumë informacion, kontaktoni:
ANYN Shqipëri
E-mail: info@anyn.al


Detajet e Lajmit
June 27, 2022
328
Kategoria