Qeveria duhet urgjentisht të investojë te fëmijët!

Qeveria duhet urgjentisht të investojë te fëmijët!

CRCA/ECPAT Shqipëri i bën thirrje Qeverisë shqiptare, Kuvendit dhe Bashkive në të gjithë vendin të vendosin në qendër të punës së tyre mbijetesën dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Tiranë, 3 Tetor 2020 - Pandemia që përfshiu këtë vit të gjithë botën, do të ketë një ndikim të madh negativ në ekonominë e të gjitha vendeve. Shqipëria nuk përbën përjashtim në këtë drejtim. Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), vendi ynë renditet i pari në Ballkanin Perëndimor për rënien e pritshme ekonomike, me 9%, pasi një pjesë e madhe e qytetarëve jetojnë me të ardhurat e reminitancave të emigrantëve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në vendet perëndimore[1].

Sipas Agjencisë Amerikane të Vlerësimit Standard&Poors, vendi ynë renditet ndër 15 vendet e para në listën e shteteve, ekonomia e të cilëve do dëmtohet rëndë nga COVID-19. FMN ka deklaruar se ekonomia pritet të tkurret me 7.5 përind gjatë vitit 2020. Jo më larg se dje, të dhënat e Institutit të Statistikave treguan se ekonomia shqiptare ishte kontraktuar me 10% gjatë kohës së mbylljes nga pandemia, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rënia ekonomike do të prekë të gjithë qytetarët shqiptarë, por më të rrezikuarit janë ata që jetojnë nën nivelin e minimumit jetik ose shumë pranë tij. Banka Botërore, pavarësisht se gjatë këtij viti evidentoi disa zhvillime pozitive për ekonominë shqiptare (para-Covid19), përsëri vuri theksin se varfëria absolute dhe ajo relative vazhdon të prekë thuajse 40 përqind të popullsisë në Shqipëri.

Fëmijët janë ata që preken të parët dhe drejtëpërsëdrejti në raste krizash! Rënia ekonomike, në cilatdo shifra të jetë, ndikon në mënyrë të menjëhershme në rritjen e kostove të jetesës së fëmijëve dhe pamundësisë së familjeve për t’i mbuluar ato, pasi programet shtetërore të eleminimit të varfërisë në Shqipëri janë thuajse inekzistente.

Ndonëse Qeveria miratoidisa plane të njëpasnjëshme për mbajtjen në këmbë të biznesit të vogël dhe pagesës së rrogës së “luftës”, deri më tani ajo nuk ka planifikuar dhe nuk ka dhënë asnjë fond për shtresat më të varfëra të popullsisë, sidomos për fëmijët, adoleshentët dhe prindërit e vetmuar. Qeveria nuk ka parashikuar gjithashtu dhe nuk duket se do të parashikojë fonde për dimrin e vitit 2020 dhe për të gjithë vitin 2021, për shërbime shoqërore shtesë, programe të ushqimit falas për fëmijët e varfër, programe të dhënies të tollonave për blerje ushqimesh bazë për familjet e varfëra etj.

Të gjitha këto mungesa na bëjnë të besojmë se Shqipëria duhet të përgatitet përgjatë këtij dimri dhe gjithë vitit 2021 për rritjen e numrit të fëmijëve të kequshqyer, atyre që do të ulen në bangat e shkollës pa ngrënë një vakt të ngrohtë ushqimi dhe pa patur mundësi të kenë një maskë të re çdo ditë; të fëmijëve të braktisur në shtëpi fëmije për shkak se prindërit nuk kanë se me çfarë t’i ushqejnë; atyre me sëmundje respiratore apo probleme të tjera të shëndetit, për shkak se nuk kanë ngrohje në shtëpi ose sepse jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme; të fëmijëve dhe adoleshentëve që shfrytëzohen seksualisht apo trafikohen brenda e jashtë vendit, apo të kriminalitetit fëminor dhe rinor, sepse nuk ka programe mbështetje me shërbime shoqërore dhe komunitare për fëmijët, të rinjtë dhe prindërit e vetmuar.

Nisur nga kjo situatë, CRCA/ECPAT Shqipëri i bën thirrje Qeverisë shqiptare, Kuvendit të Shqipërisë, partive politike, Kryetarëve të Bashkive, të ndërmarrin urgjentisht masat e domosdoshme për të mbrojtur fëmijët, duke rritur urgjentisht investimet për ta.

Shqipëria ka nevojë urgjente për rritje të investimeve për arsimimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Ministria e Arsimit deklaroi se 10 mijë fëmijë nuk arritën të ndjekin vitin e mëparshëm shkollor dhe mësimin në distance[2]. Ne duhet të shqetësohemi se ky numër do të vijojë të rritet, nëse nuk do të ketë investime të mirëmenduara në arsim.  

Mbi 20% e fëmijëve në Shqipëri, jetojnë në varfëri ekstreme[3] dhe marrin një mbështetje minimale që nuk mjafton për ushqim, veshmbathje apo zbatimin e rregullave të rekomanduara higjeno-sanitare për shkak të COVID. Të gjithë këta fëmijë, nëse nuk investohet për ta, rrezikojnë t’i shtohen një gjenerate të re të uritur dhe të kequshqyer.

 

Investoni te fëmijët para se të jetë vonë!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL