SHPALLEN FITUESIT E ÇMIMIT KOMBËTAR PËR TË DREJTAT E FËMIJËVE NË SHQIPËRI

SHPALLEN FITUESIT E ÇMIMIT KOMBËTAR PËR TË DREJTAT E FËMIJËVE NË SHQIPËRI

Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, CRCA/ECPAT Shqipëri, njoftoi fituesit e këtij vlerësimi unik kombëtar për kategoritë: institucione, Politikanë, OJF dhe Biznes. Në vitin 2021 Çmimi do të jepet edhe për mediat!

Tiranë 20 Nëntor 2020 – CRCA/ECPAT Shqipëri, shpalli publikisht sot në mëngjes fituesit e Çmimit Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri 2020, i cili vlerëson institucionet, politikanët, organizatat joqeveritare dhe biznesin, të cilët në punën e tyre kanë kontribuar në mbrojtjen, kujdesin dhe avancimin e të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Çmimi Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve, është një vlerësim që CRCA/ECPAT Shqipëri, organizata më e vjetër për të drejtat e fëmijëve në vend, i akordon personave, institucioneve apo organizatave, të cilat përgjatë vitit 2020 i janë përkushtuar, kanë mbështetur, ndihmuar apo organizuar nisma, veprime apo aktivitete që kanë shpënë në mbrojtjen më të mirë apo avancimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Fituesit e Çmimit Kombëtar sipas kategorive janë:

 

Institucion:     - Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për kontributin e saj në menaxhimin e krizës shëndetësore dhe sociale të shkaktuar nga Tërmeti i 26 Nëntorit në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë për koordinimin e shërbimeve shoqërore dhe atyre të mbrojtjes për fëmijët e prekur dhe dëmtuar nga tërmeti.

 

Politikanë:      - Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, për mbështetjen dhe promovimin e Lëvizjes Kombëtare #NEJEMI1 kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri;

- Znj. Elona Gjebrea, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetare e Aleancës së Grave Deputete, për mbështetjen e pakufizuar dhënë për vajzat e reja pjesëmarrëse të Samitit të parë dhe të dytë të Vajzave në Shqipëri;

 

Ndërkohë,CRCA/ECPAT Shqipëri, vendosi të ndajë tre Çertifikata Vlerësimi për deputetet: znj. Vasilika Hysi, Znj. Rudina Hajdari dhe znj. Eglantina Gjermeni, për krijimin e hapësirave në Kuvendin e Shqipërisë për pjesëmarrjen e fëmijëve, të rinjve dhe shoqërisë civile në procesin e konsultimit dhe përmirësimit të ligjeve.

 

OSHC:              - Save the Children në Shqipëri, për krijimin e modeleve efektive të pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të adoleshentëve në vendimarrje dhe fuqizimit të tyre për të kontribuar në politikat locale dhe ato kombëtare;

                        - Urdhëri Kombëtar i Psikologëve, për ofrimin e shërbimit psikologjik vullnetar, të organizuar, pandërprerje dhe profesional në mbështetje të fëmijëve të traumatizuar për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit 2019, si dhe për vendimin e tyre për të ndaluar terapitë konvertuese përkundrejt adoleshentëve dhe të rinjve LGBTI;

 

Biznes:             - Kompaninë e Telefonisë Celulare “ONE” (ish Telekom Albania) për përkrahjen e drejtëpërdrejtë të fëmijëve gjatë periudhës së mbylljes nga Covid dhe sidomos të të mbijetuarve të dhunës seksuale me tableta dhe internet falas për të ndjekur arsimin online.

 

Ndarja e vlerësimeve për Fituesit e Çmimit Kombëtar për të Drejtat e Fëmijës, zhvillohet rreth mesit të Muajit Dhjetor në një Mbrëmje Gala në mbështetje të kauzave të të drejtave të fëmijëve. Për shkak të kufizimeve të vendosura për shkak të Covid, vlerësimi këtë vit do të zhvillohet në mënyrë modeste dhe në respekt të rregullave të caktuara për mbrojtjen nga pandemia.

Për herë të parë Çmimi Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve është akorduar në vitin 2014. Çmimi Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve i CRCA/ECPAT Shqipëri ka për qëllim të evidentojë dhe fuqizojë misionin e të gjithë atyre që punojnë dhe i dedikohen çdo ditë mbrojtjes, kujdesit dhe avancimit të të drejtave të fëmijës, duke dashur të vlerësojë profesionalizmin, humanizmin apo zhvillimin e metodave dhe nismave të reja për fëmijët në Shqipëri.

Është traditë e Çmimit që t’i shpallë fituesit pa i njoftuar ata paraprakisht. Ne ju urojmë atyre suksese edhe më të mëdha në drejtim të mbrojtjes, kujdesit apo promovimit të respektit për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.

 

Tiranë, 20 Nëntor 2020

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL